Hulumtuesi i lartë nga KDI, Eugen Cakolli, në një analizë për Expose, ka thënë se zgjedhjet lokale u mundësojnë partive të fitojnë nga diçka, teksa ai ka treguar renditjen e partive duke llogaritur komunat, numrin e qytetarëve në komuna e numrin e asambleistëve të fituar.
“Duke qenë se zgjedhjet lokale si të tilla kanë një avantazh sepse u mundësojnë palëve që të festojnë për ndonjë element të caktuar, përkatësisht zgjedhjet lokale janë proces ku pothuajse të gjitha partitë mund të krenohen se kanë fituar diçka. Dhe ndonëse nuk ka një parametër të vetëm për ta matur suksesin në zgjedhje lokale, ekzistojnë disa mënyra për të përcaktuar se cila është gjendja në kuptim të fuqisë politike. Normalisht, në kuptimin më të ngushtë duhet të merret numri i asambleve dhe numri i komunave të fituara, por që në këtë rast ta zëmë Lista Serbe që fiton tradicionalisht 10 prej 10 komunave me shumicë serbe, po të matej vetëm me numrin e komunave si të tilla, atëherë i bie që nga viti 2013 e tutje, fitues gati absolut i zgjedhjeve lokale do të konsiderohej Lista Serbe. Në anën tjetër, unë besoj që fillimisht duhet parë progresin nga mandati paraprak, pra nga viti 2021, ku normalisht nëse do të merrej ky parametër i bie që Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që të shtojë numër të komunave, gati ta dyfishojë, pra nga katër në shtatë sosh.
Por pastaj kur analizohen këto komuna, meqenëse kemi edhe LDK-në që si parti ka numër të njëjtë të komunave, besoj që duhet të trajtohen fuqia politike dhe ndikimi edhe në bazë të numrit të banorëve që do të qeverisen nëpër komunat përkatëse, pa madhësia e komunave dhe e dyta, e mbase edhe më e rëndësishmja, me sa buxhet do të miratohet. Sepse në fund të ditës, ideja e zgjedhjeve lokale, përkatësisht garës për të parin e komunës, ka të bëjë me buxhetin përkatësisht me mandatin qeverisës duke përshkruar çështje përpara. E në këtë element, Lidhja Demokratike e Kosovës prin madje bindshëm për shkak se e njëjta ka arritur që të fitojë Prishtinën që ka gati 150 milionë euro buxhet të paraparë për vitin 2026. Pas saj, renditet Partia Demokratike e Kosovës, pastaj Lëvizja Vetëvendosje dhe në fund Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që si subjekt ka arritur që të mbajë të gjitha komunat që i ka pasur paraprakisht në qeverisje, indikator ky edhe i një pune të mirë të bërë, por në anën tjetër edhe i një stabiliteti elektoral të kësaj partie. Sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës, e njëjta ka arritur që të fitojë numrin më të madh të asambleve në nivel vendi, pra në kuadër të votimit për kuvendet komunale del që është partia më e votuar në Kosovë, indikator tjetër ky mjaft me rëndësi për shtrirjen gjeografike të përkrahjes që kanë partitë në nivel vendi”, ka thënë ai.
Cakolli vlerëson se nuk ka pasur surpriza të mëdha në rezultatet e zgjedhjeve.
“Unë besoj që proceset zgjedhore lokale si të tilla në këtë rast, për herë të parë kanë prodhuar vetëm një komunë e cila është ndryshuar në kuptim të qeverisjes apo rezultatit nga raundi i parë në raundin e dytë. Pra kemi pasur validim të rezultatit në raundin e parë në 17 prej 18 komunave ku është mbajtur balotazhi. Kjo normalisht është indikator që nuk ka pasur surpriza të mëdha në njërën anë. Tradicionalisht në Kosovë kryetarët e komunave arrijnë që të shkojnë në balotazh dhe që në rastin tonë pothuajse pa përjashtim të gjithë kryetarët e komunave, hiq këtu komunën e Obiliqit, kanë arritur që të konfirmojnë mandatet e tyre, përkatësisht që të fitojnë sërish. Normalisht nëse këtu nuk llogarisim edhe komunën e Fushë Kosovës ku ka pasur ndryshim të kandidatit nga ai i cili ka qenë aktualisht kryetar”, ka theksuar ai për Expose.
Sipas Cakollit, të gjitha partitë mund të krenohen për rezultatin e ta konsiderojnë veten fitues në ndonjë dimension, gjë që sipas tij, është e mira e procesit zgjedhor.
“Unë besoj që meqenëse zgjedhjet lokale u mundësojnë të gjitha partive që të krenohen e ta konsiderojnë veten fitues në ndonjë prej dimensioneve, ky është kjo është pjesa mbase më e mirë e tërë procesit zgjedhor lokal, por që në anën tjetër unë besoj që asnjë prej partive, pra ndonëse të gjitha janë të kënaqura në bazë të deklarimeve të tyre, unë besoj që realisht asnjë prej partive nuk i ka arritur objektivat përkatëse për të qenë njëmend partia e parë në nivel lokal. Pra meqenëse nuk kemi një parti të vetme që ka arritur të fitojë në dy-tri prej dimensioneve se si matet fuqia politike pas zgjedhjeve lokale, kjo tregon që asnjë gati prej tyre nuk i ka arritur objektivat, secila prej tyre ka pritur dhe ka pretenduar se do të fitojë numër më të madh të komunave, numër më të madh të asambleve apo komuna me më shumë peshë politike e fiskale, por që prapë se prapë po e theksoj që e mira e zgjedhjeve lokale është pikërisht fakti që të gjithë mund të krenohen për diçka e në anën tjetër të mos vajtojnë për rezultatin në anën tjetër”, ka përfunduar Eugen Cakolli nga KDI./Gazeta Blic/



Të tjera
Nuk do ta harrojmë asnjëherë fitoren ndaj Serbisë në Leskovc
Jemi bllokuar në rrugën e integrimit, s’po kërkojmë bamirësi, por respekt për punën e reformat
Studim i ri, depresioni dhe vetëvrasjet të lidhura me ndotjen e ajrit