Krasniqi: Të gjykoni secilën provë me durim

Të gjykoni secilën provë me durim

Në fjalimin e tij, Jakup Krasniqi kërkoi nga trupi gjykues në Hagë që të gjykojë secilën provë me durim, për çka tha se nuk do të gjejnë “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

 

“Qëndroj para jush jo si kriminel, por njeri i lindur dhe i kalitur nga lufta për dinjitet njerëzor. Për shumë se 5 vjet më janë mohuar të drejtat e njeriut. M’u mohua dhe m’u ndalua e drejta më njerëzore, e drejta për ta dashur hapur vendin tim. Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Padrejtësia e këtij rasti u shkrua mbi vetë aktakuzën”, ka thënë ai.

Ai theksoi se brezi i tij e kishte një vizion: jetën në liri.

“Kur e vërteta thuhet thjesht nuk ka nevojë për zbukurime. Ishte ky vizion që udhëhoqi luftën”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se ky është viti i 16-të nga 75 vitet e jetës së tij që ka kaluar në bug, me të vetmin qëllim, për lirinë e Kosovës.

“Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit vetëm pse luftova për liri dhe pavarësi të popullit tim. Po them vitin e 16-të sepse 10 vite e më tepër burg i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991. Të kesh kaluar 16 nga 75 vitet e jetës në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë, nuk është diçka e vogël, është diçka e madhe”,  shtoi Krasniqi.