Edhe Partia Demokratike e Kosovës iu ka përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrin Albin Kurti për takim, por ka theksuar se duhet të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese para çdo veprimi të mëtejshëm, transneton KosovaPost.
“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti politik.
Tutje theksohet se Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend.
Sot më herët gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti, në një prononcim për media bëri të ditur se do t’i ftojë liderët e partive opozitare në takim për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit, pasi sipas tij vendit nuk i duhet një tjetër proces zgjedhor.



Të tjera
UEFA nuk i lejon fanellën kuqezi Shqipërisë në ndeshjen kundër Polonisë
A është e shëndetshme të pini çaj jeshil para gjumit?
Vuçiç konfirmon blerjen e raketave balistike supersonike nga Kina