Të shtëna me armë në një pallat në Berlin, 5 të plagosur, dy në gjendje kritike

Të shtëna me armë në një pallat në Berlin, 5 të plagosur, dy në gjendje kritike

Një alarm i madh është dhënë mbrëmjen e së dielës në Berlin, pas një incidenti serioz dhune në një pallat banimi, duke sjellë mobilizimin e forcave të shumta të policisë dhe zjarrfikësve.

Në rrugën Budapester Straße, përballë hotelit InterContinental Berlin, efektivë policie të armatosur me armë automatike rrethuan zonën, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.

Sipas medias gjermane Bild, në një apartament në rrugën Wichmannstraße, në zonën Tiergarten, janë gjetur pesë persona të plagosur. Dy prej tyre raportohet se janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në spital.

Një përfaqësues i qendrës operative të policisë deklaroi se për momentin nuk ka informacion zyrtar shtesë, pasi hetimet po vijojnë në terren.

Sipas informacioneve paraprake, në apartamentin e ndodhur në katin e pestë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Policia raportohet se ka arrestuar më shumë se një të dyshuar, pa dhënë ende detaje mbi numrin apo identitetin e tyre. Çështja pritet t’i kalojë një njësie speciale të hetimit të vrasjeve.

Po sipas burimeve, një nga të plagosurit ka arritur të shkojë vetë në spitalin Franziskus-Krankenhaus për të kërkuar ndihmë mjekësore. Ndërkohë, ekipet e emergjencës kanë dhënë ndihmën e parë në vendngjarje për një grua të plagosur rëndë, një burrë dhe dy persona të tjerë, të cilët më pas janë transportuar në spitale të ndryshme.

Policia vazhdon të ruajë me forca të shtuara si zonën përreth spitalit, ashtu edhe vendin e ngjarjes në Wichmannstraße, që mbetet i izoluar. Operacioni i autoriteteve është ende në vijim.