Para Kuvendit të Serbisë gjatë natës ka mbizotëruar një atmosferë e tensionuar. Policia, përmes kordoneve, po i ndan dy grupe qytetarësh, përkrahësit e pushtetit dhe ata që kanë dalë për të mbështetur Dijanën Hrka, e cila po mban grevë urie afër Kuvendit, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e djalit të saj dhe të 15 personave të tjerë gjatë shembjes së mbulesës hyrëse të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024.
Para Kuvendit të Serbisë ka mbretëruar situatë e tensionuar. Policia ka vendosur kordon që ndan dy grupe qytetarësh – njërin që ka ardhur për të mbështetur Dijanën Hrka dhe tjetrin që ndodhet pranë tendave të vendosura para Kuvendit.
Midis grupeve ka pasur tensione. Nga vendi ku ndodhen përkrahësit e pushtetit herë pas here janë hedhur shishe plastike dhe dëgjohen këngë nacionaliste. Gjatë mbrëmjes ka ndodhur një incident, kur ndaj protestuesve u hodhën piroteknikë nga drejtimi i kampit me tenda të mbështetësve të pushtetit. Pas një shtyrjeje mes grupeve, policia ka reaguar dhe i ka ndarë ato.
Më vonë u dëgjuan edhe të shtëna topash, ndërsa janë regjistruar përplasje verbale. Qytetarët po brohorasin parulla kundër presidentit Aleksandar Vuçiq. Deri më tani nuk ka pasur incidente më të mëdha – ato janë kufizuar në provokime të herëpashershme – por atmosfera mbetet e tensionuar.
Policia ka shtuar praninë në terren. Forca shtesë dhe kordone janë vendosur në rrugët përreth. Qytetarët që mbështesin protestat janë mbledhur për të përkrahur Dijanën Hrka, e cila ka filluar grevën e urisë para Kuvendit të Serbisë, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për tragjedinë në Novi Sad.
Në lidhje me tensionet në qendër të Beogradit është deklaruar presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili u ka bërë thirrje të gjithëve për qetësi dhe përmbajtje nga dhuna. Ai akuzoi qytetarët se “janë afruar deri te kampi me tenda dhe kanë shikuar se si të sulmojnë” mbështetësit e tij.
Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dënuan incidentet në qendër të Beogradit.



Të tjera
Kapsllëku kronik rrit rrezikun edhe për probleme me veshka
Në përfaqësitë diplomatike lejohet identifikimi për votim me dokumente të skaduara të vlefshmërisë të Republikës së Kosovës
Në Suharekë pati më shumë se mbështetje, pati besim