Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka reaguar pas tërmetit në Kosovë.
Në njoftim thuhet se deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar.
Tutje thuhet se, institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi.
Komunikata e plotë:
NJOFTIM PËR QYTETARËT – TËRMET
Të nderuar qytetarë,
Bazuar në të dhënat e Rrjetit Sizmologjik, Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mesdhetare, si dhe në analizën numerike të ngjarjes sizmike, ju njoftojmë se:
Më 10.02.2026, në ora 22:05 sipas kohës lokale, territori i Kosovës, përkatësisht zona juglindore (Prizren–Shtërpcë), është goditur nga një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter, respektivisht me intensitet VI ballë të shkallës së Merkalit.
• Thellësia hipoqendrore: 5 km.
• Epiqendra: 23 km në lindje të Prizrenit.
• Koordinatat gjeografike: 42.144; 20.985.
Tërmeti është ndier dukshëm nga qytetarët në pjesë të ndryshme të Kosovës. Për shkak të forcës së tij, ky sizmicitet ka pasur potencial për të rrezikuar qytetarët dhe për të shkaktuar dëme materiale të lehta. Njëkohësisht, kjo ngjarje konfirmon se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, ashtu siç paraqitet edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.
Deri në këto momente, nuk ka raportime zyrtare për dëme serioze apo persona të lënduar. Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe po e monitorojnë situatën në vazhdimësi.
Udhëzime për qytetarët:
• Ruani qetësinë dhe informohuni vetëm nga burime zyrtare.
• Në rast të lëkundjeve të tjera, qëndroni larg dritareve dhe objekteve që mund të bien dhe shkaktojne lendime.
• Në ambiente të mbyllura, strehohuni nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës-shtyllave betoni.
• Pas përfundimit të lëkundjeve, dilni me qetësi në hapësira të hapura.
• Mos përdorni ashensorët dhe shmangni përdorimin e panevojshëm të automjeteve.
• Kontrolloni me kujdes banesat për dëmtime eventuale dhe ndihmoni personat në nevojë.
Çdo informacion shtesë do të komunikohet në kohë reale përmes institucioneve zyrtare. Numrat emergjent :112 , 193 ose 192 jane ne dispozicionin tuaj 24/7



Të tjera
Tërheqjet e formulave për bebe: Britania heton 36 raste të dyshuara helmimi nga cereulide
Truku me kube akulli, për t’i shpëtuar lulet nga vyshkja
Tërmeti në Kosovë, Ministria e Ekonomisë del me komunikatë: Tërmeti është ndier dukshëm