Trim Tërnava, kryeshef Ekzekutiv i KOSTT-it, i është përgjigjur zyrtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, i cili sot ka akuzuar institucionet energjetike për emërime partiake.
Tërnava. Në një deklaratë për RTK-në thotë se është i befasuar nga deklarata e Visar Azemit, ngase edhe njihet me atë.
“Ne njohim njëri-tjetrin, punën dhe angazhimin tonë dhe mënyrën e operimit të secilit. Ai po ashtu di për profilin tim profesional, përvojën time të punës dhe shkollimin në Kosovë dhe SHBA”, ka thënë Tërnava.
“Është e vërtetë që z. Maqedonci e kam djalë të dajës, sikurse është edhe angazhimi im në lëmin e energjisë për më shumë se një dekadë, shumë përpara se ai të emërohet ministër. Prandaj, çdo ndërlidhje me z. Maqedonci, i cili është Ministër i Mbrojtjes, është me qëllim të diskreditimit tim dhe të tij, në një kohë kur jam përzgjedhur me një konkurs publik, ku kam plotësuar dhe tejkaluar të gjitha kriteret e kërkuara, jam vlerësuar nga komisioni përzgjedhës për profilin tim dhe vizionin tim për KOSTT”, shton Tërnava.
Ai thotë se të gjitha informacionet në lidhje me atë dhe procesin janë publike dhe asgjë s’është sekrete.
“Unë nuk e di se si z. Azemi konkludon që keqpërdorimet janë të pashmangshme, por besoj se këtë pyetje mund t’ia bëni atij. Unë mund të ju konfirmoj që do ta nis angazhimin tim në KOSTT për ndikim pozitiv në sektorin e energjisë, sektor në të cilin jam për më shumë se 15 vite dhe për të cilin kam kontribuar gjatë gjithë kësaj periudhe”, ka deklaruar për RTK Tërnava.
Zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, ka kritikuar sot për ‘emërime partiake dhe familjare në institucionet energjetike’.
“Ata që dikur thoshin se familjarët i kanë ‘vetëm për dasma’, sot pothuajse në çdo emërim që bëjnë po i shndërrojnë institucionet në strehë për emërime partiake dhe familjare. Emërimi i nipit të deputetit të Vetëvendosjes për drejtor në KOSTT flet më së miri për kapjen e institucioneve energjetike në vend”, ka thënë Azemi.



Të tjera
Mjekra e dyfishtë, si ta “luftoni”?
Sveçla mori pjesë në diplomimin e kadetëve që përfunduan trajnimin profesional për zjarrfikës
Rinumërohen 1,142 nga 2,557 vendvotime, procesi përmbyllet plotësisht në 11 komuna