Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper, ka deklaruar se beson se procesi gjyqësor në Hagë do të përfundojë me lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, teksa shtoi se nëse ata do të shpallen fajtorë, një gjë e tillë do të ishte një vlerësim i padrejtë i tërë historisë.
Prosper në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, theksoi se të dhënat historike, përfshirë ato nga NATO dhe kujtimet e zyrtarëve, janë krejt të kundërta me përfundimin që mund të nxirret ndaj të akuzuarve, përcjell kp.
“Mendoj se nëse ata shpallen fajtorë, mendoj se është një keqkuptim i qartë dhe vlerësim i padrejtë jo vetëm për të vërtetën, por për gjithë historinë. Mendoj se jo vetëm historia por të dhënat historike brenda NATO-s dhe kujtimet e zyrtarëve përgjatë zinxhirit komandues si dhe të dhënat historike të të gjitha qeverive janë krejt të kundërta me një përfundim të tillë”, tha Prosper.
Ai theksoi se gjatë pesë vjetëve të fundit, ka pasur një keqinterpretim dhe ndryshim të historisë, ndërsa tani, me përfundimin e dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës, bota ka mundësi të shohë realitetin.
Prosper beson se prova të sakta historike do të nxjerrin në pah të vërtetën dhe, sipas tij, ky proces do të përfundojë me lirimin e Thaçit dhe të tjerëve. Ai shtoi se ka besim se gjyqtarët do të shohin informacionet dhe provat dhe do të arrijnë në përfundimin e duhur.
Kemi besim se gjyqtarët tani do të shohin informacionet dhe provat për ta kuptuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka qenë situata. Por në fund të ditës, kemi triumfuar duke regjistruar të dhëna të sakta historike. Tani u mbetet në dorë të gjyqtarëve, mirëpo mendoj se nëse e shohin të vërtetën ashtu siç është, presidenti Thaçi dhe të tjerët do të jenë burra të lirë”, u shpreh ai.
“Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës ka përfunduar dhe tani mbetet faza e fjalëve përfundimtare, që Prosper e cilësoi si një detyrë “masive”. Prosper ndër tjerash tha se Prokuroria, në vend që të dëshmojë se çfarë ka ndodhur, është mbështetur në libra e lajme.
“Sapo të përfundojë ky proces më pas do t’i kemi fjalët me gojë, argumentet tona në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Prosper.
Procesi i dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës në rastin Thaçi dhe të tjerët në Hagë, tashmë ka përfunduar.



Të tjera
Për 6 gjëra nuk duhet t’ua ndijë fare
UShAF ndan titullin “Doctor Honoris Causa” për tre personalitete të shquara akademike
Personat mbi 40 vjeç, duhet të konsumojnë këto ushqime