Williams: Thaçit i binte telefoni vazhdimisht, mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jashtë

Thaçit i binte telefoni vazhdimisht, mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jashtë

Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës në bisedimet e Rambujesë, ka deklaruar në Dhomat e Specializuara se Hashim Thaçi nuk kishte kontroll të plotë mbi qëndrimet që mbante si kryesues i delegacionit. Sipas Williams, pozicionet e Thaçit ndikohej nga faktorë të jashtëm, përfshirë këshilltarë të pavarur dhe pjesëtarë të UÇK-së jashtë kështjellës së Rambujesë.

“Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai [Thaçi] kishte kontroll të plotë mbi negociatat, por mendoj që ai përfaqësonte interesat nga jashtë dhe mendoj që këto interesa kishin ndikimin e tyre mbi autoritetin ose kontrollin mbi sjelljen e tij gjatë negociatave,” deklaroi Williams.

Ai theksoi se Thaçi bënte vazhdimisht telefonata dhe konsultohej me persona të tjerë që nuk ishin pjesë zyrtare e delegacionit, përfshirë edhe një shqiptaro-amerikan të identifikuar nga dëshmitari si Dino Hasani.

“Telefoni i tij binte vazhdimisht, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhese, kështu që mund të dilnin lehtësisht në oborrin e kështjellës,” tha ai.

Sipas Williams, ndikimi nuk vinte vetëm përmes komunikimeve të drejtpërdrejta me Thaçin, por edhe përmes diskutimeve që zhvilloheshin jashtë mjediseve të zyrtarizuara të negociatave.

“Përfshirja ime në fshatin e Rambujesë, pra jashtë kështjellës, më dha mundësinë të takohem rregullisht me një shqiptaro-amerikan që kishte marrëdhënie të ngushtë me UÇK-në, si dhe me individë të tjerë të identifikuar si pjesëtarë të UÇK-së. Ne diskutonim dispozita të ndryshme nga këndvështrimi i juristit, pra këndvështrimi im sa i takon tekstit të marrëveshjes,” shtoi ai.

Williams theksoi gjithashtu se kishte vërejtur një “koklavitje apo përzierje të aktorëve” gjatë procesit negociator, e cila linte të kuptohej se kontrolli mbi procesin nuk ishte në duart e vetme të një individi apo një strukture të qartë.

“Krijohej përshtypja që dikush i kishte negociatat nën kontroll ose pjesërisht nën kontroll, ose nëse ishe në një pozitë ‘as kështu, as ashtu’, d.m.th. diku në mes,” deklaroi ai.

Kjo dëshmi është pjesë e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.