Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me pretendimet për bllokimin e buxhetit.
Murati ka shpjeguar se Thesari e ka alokuar buxhetin për dhjetor për Komunën e Prishtinës që të premten pasdite, me qëllim që të paguheshin shërbime esenciale si energjia elektrike.
Sipas Muratit, megjithëse alokimi ishte bërë, stafi i Komunës së Prishtinës nuk e kishte kryer asnjë pagesë deri në fund të ditës, me arsyetimin se pagesat do të bëheshin “të hënën”.
“Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike. Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”. Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai ka akuzuar kryetarin Rama dhe nënkryetarët e tij për përdorimin e situatës për “propagandë anti-qeveri”, duke theksuar se, po të ishin paguar faturat të premten, nuk do të kishte pasur mundësi për të bërë ankesat gjatë fundjavës.
“Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën. Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielen”, ka shtuar ai.
Në fund, Murati ka theksuar se kjo sjellje e autoriteteve të Prishtinës sqaron edhe arsyen pse deputetët e LDK-së nuk e votuan buxhetin e Prishtinës në Kuvend, duke i akuzuar ata se, për mungesë kauzash reale, nuk e kursyen as qytetarët e kryeqytetit.
“Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend. Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria”, ka përfunduar Murati.
Reagimi i Muratit vjen pas kritikave të kryetarit të Prishtinës, i cili të dielën, në një konferencë për media, e ka akuzuar Qeverinë se po i bllokon financat e qytetit për arsye politike, duke i lënë pa mundësi për të paguar shërbimet esenciale.



Të tjera
Mot i ndryshueshëm për pesë ditët e ardhshme, temperatura më e ulët shënon -1 gradë
Rrahmani e Haraslini kanë nisur ngacmimet për short
Ngrënia e thonjve ul imunitetin