Tirana është shndërruar sot në kryeqendrën e rajonit, teksa mirëpret Forumin e parë të Investimeve “Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor” (EU–WB6), që zhvillohet më 13 dhe 14 tetor në Pallatin e Kongreseve. Në këtë ngjarje të rëndësishme ekonomike marrin pjesë liderë nga vendet e rajonit dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Presidentja Von der Leyen nisi vizitën e saj në Shqipëri me një takim me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në Presidencë, ku u zhvillua një bisedë rreth 45-minutëshe me dyer të mbyllura. Më pas, ajo u prit me ceremoni zyrtare në Kryeministri nga kryeministri Edi Rama.
Sipas axhendës zyrtare, pas takimit kokë më kokë mes dy liderëve dhe takimit dypalësh të delegacioneve, në orën 11:15 Rama dhe Von der Leyen do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Forumi i Investimeve EU–WB6, i mbështetur nga Komisioni Europian, synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë mundësi të reja investimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë) dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Ky forum pritet të shënojë një hap të rëndësishëm drejt afrimit ekonomik të rajonit me BE-në, në kuadër të strategjisë së re europiane për integrim rajonal dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në kuadër të forumit do të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme për projekte rajonale strategjike, përfshirë:
- Projekti EAGLE – Shtylla Rajonale Dixhitale që lidh Ballkanin me BE-në,
- Qendra e të Dhënave të Inteligjencës Artificiale në Kosovë (3CIS),
- Investimet kërkimore të “Swiss Rockets” në Serbi,
- Parku me Erë në Shqipëri dhe projekti diellor në Mal të Zi (CEP Europe),
- Megafabrika e baterive LFP në Serbi (ElevenES),
- Projekti i Grupit të Çimentos Titan për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri,
si dhe nisma të reja për financim të gjelbër dhe garanci për sipërmarrësit në rajon.
Të tjera
Ka një arsye përse dhemb plaga e operacionit kur prishet moti
Fitoi një klasë e re politike
Pas sanksioneve amerikane, varësia nga nafta ruse po kthehet kundër Serbisë