Estonia thirri një diplomat rus për të protestuar pasi tre avionë luftarakë rusë hynë pa leje në hapësirën e saj ajrore të premten dhe qëndruan aty për 12 minuta, njoftoi Ministria e Jashtme e Estonisë.
Vetëm pak më shumë se një javë pasi avionët e NATO-s rrëzuan dronë rusë mbi Poloni, duke rritur frikën se lufta në Ukrainë mund të përhapet.
Ministri i Jashtëm, Margus Tsakhna, tha se Rusia e ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë katër herë këtë vit, “por shkelja e sotme, me tre avionë luftarakë që hyjnë në hapësirën tonë ajrore, është pa precedent dhe e paturp”, raporton AP.
Zyrtarët rusë nuk komentuan menjëherë për këtë ngjarje.
Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia ishte incidenti më serioz i këtij lloji në një vend anëtar të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë me pushtimin e plotë rus në shkurt 2022. Vende të tjera të aleancës kanë raportuar shkelje të ngjashme dhe rrëzime dronësh në territorin e tyre.
Zhvillimet kanë tronditur gjithnjë e më shumë qeveritë evropiane, ndërsa përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për ta ndalur luftën në Ukrainë nuk kanë dhënë rezultat.
Por ndaj këtij veprimi provokues rus kanë reaguar avionë italianë F-35.
Avionët luftarakë rusë MIG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë pranë ishullit Vaindloo, një ishull i vogël në Gjirin e Finlandës në Detin Baltik, tha ushtria estoneze në një deklaratë të veçantë.
Avionët nuk kishin plane fluturimi dhe transponderët e tyre ishin të fikur, thuhej në deklaratë, dhe nuk ishin në komunikim dydrejtimësh me shërbimet estoneze të trafikut ajror.
Avionë luftarakë F-35 të Forcës Ajrore Italiane, të dislokuar aktualisht si pjesë e misionit të NATO-s për patrullimin ajror të Baltikut, iu përgjigjën incidentit, sipas deklaratës.
“Testimet gjithnjë e më të gjera të kufijve nga Rusia dhe agresiviteti në rritje duhet të përballen me një rritje të shpejtë të presionit politik dhe ekonomik,” tha ministri i Jashtëm, Tsakhna.
Përfaqësuesi i ngarkuar me punë i Rusisë u thirr dhe iu dorëzua një notë proteste, njoftoi Ministria e Jashtme estoneze.
Të tjera
Kryeziu zbërthen lojën e Beogradit dhe heshtjen
Tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore
Mbështetja e aleatëve të NATO-s, dëshmi për siguri në rajon