Ish-komandanti i UÇK-së, Faton Gashi, i reagon gjeneral Gëzim Hazrollit: “Tre gjeneralët vijnë nga i njëjti shinjell”

“Tre gjeneralët vijnë nga i njëjti shinjell”

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Gashi, ka reaguar ndaj angazhimit politik të gjeneral Gëzim Hazrollit, duke bërë një rrëfim të drejtpërdrejtë për përpjekjet e gjeneralit për t’iu bashkuar partive politike.

Gashi thotë se ka qenë në dijeni për kontaktet mes Vetëvendosjes dhe Hazrollit, pasi ky i fundit kishte shprehur interesim që të angazhohej brenda kësaj lëvizjeje. Megjithatë, pas një periudhe heshtjeje, Gashi thotë se e kuptoi se situata nuk kishte ecur siç kishte supozuar fillimisht.

“Ishe naiv,” shkruan ai. “Mendova se Hazrolli do ta ndiqte shembullin e gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili vendosi të mos hynte në politikë për të mos kompromentuar rolin e tij si gjeneral i luftës.”

Gashi sjell shembullin e deklaratës së Gotovinës, i cili pat thënë se si gjeneral i përket popullit, por si politikan do të përfundonte duke përfaqësuar vetëm një pjesë të tij, duke rrezikuar të zhgënjejë idealin e luftës.

Por sipas Gashit, te rasti i Hazrollit ndodhi e kundërta.

I shtyrë nga kureshtja, ai kishte pyetur pse procesi me Vetëvendosjen nuk ishte finalizuar. Përgjigja që mori ishte e shkurtër:
“S’kanë mbaruar negociatat.”

“Negociata për çka? Për bindje politike?” – shkruan Gashi, duke e cilësuar situatën si një pazar karriere, jo si angazhim parimor.

Ai shton se Hazrolli nuk i kishte pranuar kushtet e Vetëvendosjes, të cilat – sipas tij – i ngjanin një disipline të ngjashme me standardet e NATO-s: “Në VV, pavarësisht gradës së dikujt në JNA apo UÇK, fillohet nga zero. Harron yjet.”

Më pas, Gashi thotë se doli në pah një fakt tjetër, i cili e bëri çështjen edhe më të qartë: gjenerali Hazrolli kishte negociuar paralelisht edhe me LDK-në. Atje, sipas Gashit, i ishin premtuar pozicione të larta në listën zgjedhore dhe madje edhe kandidimi për kryetar të Suharekës në të ardhmen.

“Nuk është çudi që e zgjodhi LDK-në,” shkruan ai. “Përveç premtimeve, aty gjen edhe dy gjeneralë të tjerë të dalë nga ish-Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Të tre vijnë nga i njëjti shinjell.”

Në fund, Gashi e mbyll reagimin me një thënie franceze që nënvizon natyrën ciklike të sjelljeve politike:

“Sa më shumë ndryshon diçka, aq më shumë mbetet po ajo.”

Sipas tij, shumë procese, figura dhe mentalitete politikë, pavarësisht ndryshimeve të dukshme, kthehen gjithmonë te origjina dhe logjika e tyre fillestare.