Tre persona të ndaluar për vepra penale kundër të drejtave të votimit

Tre persona të ndaluar për vepra penale kundër të drejtave të votimit

Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se janë ndaluar tre persona, të dyshuar për vepra penale kundër të drejtave të votimit, në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, fransmeton KosovaPost.

Sipas njoftimit, rreth 80 prokurorë dhe pjesëtarë të sistemit prokurorial kanë qenë të angazhuar gjatë ditës për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për të trajtuar të gjitha rastet e raportuara.

Pas verifikimit të informatave të pranuara, Prokurori i Shtetit ka konstatuar se dy raste paraqesin elemente të veprave penale.

Rasti i parë është iniciuar në komunën e Fushë Kosovës, ku dy persona janë ndaluar për “Dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimin”, vepër e paraparë me nenin 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit, të dy personat janë ndaluar për 48 orë.

Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar në komunën e Klinës, ku një person është ndaluar për veprën penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”, sipas nenit 215 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Edhe ky i dyshuar është ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit të shtetit.

Prokurorët do të vazhdojnë kujdestarinë edhe gjatë procesit të numërimit të votave në vendvotime dhe gjatë dërgimit të tyre në qendrat komunale të numërimit.

Në fund, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka falënderuar qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin në parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale të lidhura me zgjedhjet.