Tribunali i G@zës në Istanbul, ekspozohen dëshmi tro*nditëse që e akuzojnë Izraelin për gje*nocid

Tribunali i G@zës në Istanbul, ekspozohen dëshmi tro*nditëse që e akuzojnë Izraelin për gje*nocid

Sesioni përfundimtar i Tribunalit të Gazës vazhdoi të enjten në Universitetin e Istanbulit me dëshmi tronditëse nga të mbijetuar dhe studiues që akuzojnë Izraelin për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve dhe për shembjen e themeleve të së drejtës ndërkombëtare.

I mbijetuari i gjenocidit, Haider Eid, profesor i asociuar i letërsisë dhe studimeve kulturore, më parë në Universitetin Al-Aqsa në Gaza, dëshmoi zhvendosjet e shumta të tij, shkatërrimin e komunitetit dhe atë që e quajti “një e keqe absolute” që po zhvillohet në Gaza.

“Kam kaluar katër muajt e parë të gjenocidit, gjatë të cilëve u zhvendosa tri herë”, tha Eid. “Pasi u evakuova në dhjetor 2023, udhëtova nga Gaza në Afrikën e Jugut përmes Egjiptit. Afrika e Jugut u bë zhvendosja ime e katërt”.

Eid e përshkroi shkatërrimin sistematik të popullsisë dhe infrastrukturës së Gazës si një politikë të qëllimshme dhe jo si pasojë kolaterale.

“Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Izraelit kanë lëshuar qëllimisht një gjenocid përmes luftës për të shkaktuar shkatërrim në Gaza, në vendlindjen time,” tha ai.

“Duke e bërë Gazën fjalë për fjalë të pabanuar, Izraeli ka ndëshkuar rëndë popullsinë e saj, veçanërisht gratë, fëmijët dhe të moshuarit, për guximin e tyre për të sfiduar paprekshmërinë koloniale të tij”.

Duke detajuar humbjet e familjes dhe kolegëve të tij, ai shtoi: “Personalisht, kam humbur 54 të afërm, 39 kolegë nga Universiteti Al-Aqsa dhe më shumë se 280 studentë të mi, përfshirë disa nga më të mirët në letërsi. Kam humbur gjithashtu lagjen time, shtëpinë e familjes, shkollën e fëmijëve të mi dhe universitetin tim”.

Eid përmendi të dhëna që tregojnë përmasat e shkatërrimit, duke theksuar: “Niveli aktual i shkatërrimit në Gaza është i barabartë me 17 herë kombinimin e rrënojave të të gjitha luftërave izraelite kundër Gazës që nga viti 2008”.

Ai e përmbylli me një reflektim mbi kontekstin më të gjerë historik, duke e lidhur dhunën me Nakbën e vitit 1948.

“Ky gjenocid në vazhdim mund të gjurmohet që nga viti 1948”, tha ai.

“Unë jam bir refugjatësh nga fshati Zalmunda, i cili u pastrua etnikisht. Të dy prindërit e mi vdiqën duke ëndërruar ditën që mund të ktheheshin. Izraeli është një shtet kolonial i ngritur mbi shfarosjen ose zhvendosjen e popullsisë autoktone”.

“Palestina, varreza e së drejtës ndërkombëtare”

Pas dëshmisë së Eid, Noura Erakat, avokate palestineze për të drejtat e njeriut dhe profesoreshë e asociuar në Universitetin Rutgers, iu drejtua tribunalit në distancë, me një fjalim të titulluar “Ne akuzojmë Nakbën: Gjenocidi kolonial i popullit palestinez”.

“Gjenocidi i popullit palestinez në Gaza është në thelb faza kolonialiste e republikës sonë”, tha Erakat.

“Midis viteve 1947 dhe 1949, milicitë sioniste, dhe më pas ushtria e Izraelit, kryen operacione që synonin kolektivisht palestinezët, duke shkatërruar mbi 500 fshatra dhe duke dëbuar 80 për qind të popullsisë vendase të Palestinës. Askush nuk u ndëshkua atëherë dhe askush nuk është ndëshkuar që prej asaj kohe”.

Erakat argumentoi se mosndëshkimi i Izraelit rrënjoset në atë që ajo e quajti “normalizimi i përjashtimit ligjor”, një kornizë e vendosur gjatë formimit të shtetit dhe e përjetësuar përmes bashkëpërgjegjësisë ndërkombëtare.

“Komuniteti ndërkombëtar e pranoi pretendimin e Izraelit për përjashtim ligjor në vitin 1948”, theksoi ajo.

“Kombet e Bashkuara, sapo ishin krijuar, kishin mundësinë ta kushtëzonin njohjen e Izraelit me përmbushjen e Rezolutës 181, por zgjodhën të mos e bënin. E kaluara është e tashmja”.

Ajo kritikoi gjithashtu Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjNP) për atë që e përshkroi si paaftësi strukturore për të adresuar dimensionet koloniale të gjenocidit.

“Konventa dështoi të lidhë jetën biologjike të një grupi me tokën mbi të cilën ai jetonte”, tha Erakat.

 “Ajo përjashtoi shkatërrimin e ekzistencës politike, kulturore dhe gjuhësore të një grupi, vetë thelbin e asgjësimit kolonial. Si e tillë, traktati në fakt e hoqi kolonializmin dhe dhunën e tij të institucionalizuar nga fusha e së drejtës penale ndërkombëtare.”

OMbështetja politike e ShBA-së për Netanyahun

Duke iu referuar rasteve nga Bosnja deri në Nagorno-Karabakh, Erakat theksoi se përkufizimi i ngushtë i qëllimit nga GjNP-ja ka “forcuar privilegjet perëndimore” dhe ka mbrojtur shtetet e fuqishme nga përgjegjësia.

Ajo akuzoi Shtetet e Bashkuara se po mundësojnë veprimet e Izraelit përmes vetove të përsëritura në OKB dhe mbështetjes politike për kryeministrin Benjamin Netanyahu.

“Administratat e Bidenit dhe Trumpit kanë përdorur në mënyrë sistematike vetot e tyre për të bllokuar rezolutat që do të parandalonin gjenocidin”, tha ajo.

“Ato kanë minuar autoritetin e GjNP-së, kanë hedhur poshtë vendimet e saj mbi pushtimin e paligjshëm të Izraelit, dhe i kanë lejuar kryeministrit Netanyahu të sfidojë hapur urdhër-arrestet ndërkombëtare”.

Erakat e përmbylli me një paralajmërim mbi pasojat e shkatërrimit të Gazës për të ardhmen e rendit ndërkombëtar: “Palestina është epiqendra e kësaj lufte, ku fuqitë botërore po e kthejnë Gazën në një varrezë të së drejtës ndërkombëtare”, tha ajo.

 “Është e rrezikshme. Duhet t’i mposhtim këto forca në Palestinë dhe ta shpëtojmë të ardhmen për të gjithë ata që e meritojnë botën e fëmijëve tanë”.