Tribunali i Gazës shpalli sot në Stamboll gjetjet e saj përfundimtare dhe “aktgjykimin moral”, duke deklaruar se Izraeli po kryen gjenocid kundër palestinezëve në Gaza dhe duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë masa urgjente për ta ndalur atë, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Deklarata erdhi në përmbyllje të katër ditëve seancash publike, ku juristë, ekspertë dhe dëshmitarë ndërkombëtarë paraqitën prova dhe dëshmi për ato që i përshkruan si krime sistematike. Ajo u lexua nga Christine Chinkin, e cila kryesoi “Jurinë e Ndërgjegjes”.
“Juria, e udhëhequr nga ndërgjegjja dhe e informuar nga e drejta ndërkombëtare, nuk flet me autoritetin e shteteve, por kur ligji hesht përballë pushtetit, ndërgjegjja duhet të bëhet gjykata përfundimtare”, thanë anëtarët, duke theksuar se Tribunali “është një përgjigje e shoqërisë civile ndaj mungesës së vazhdueshme të përgjegjësisë për kryerjen nga Izraeli të gjenocidit në Rripin e Gazës. Ne besojmë se gjenocidi duhet të emërtohet dhe dokumentohet, dhe se mosndëshkueshmëria ushqen dhunën që vazhdon në mbarë botën”, thuhet në deklaratë.
“Gjenocidi në Gaza është shqetësim i mbarë njerëzimit. Kur shtetet heshtin, shoqëria civile mund dhe duhet të flasë”, shtuan ata.
Ata thanë se puna e Gjykatës së Gazës përbën “një arkiv të vlefshëm … që ofron prova të qëndrueshme për të vërtetën e gjenocidit kundër popullit palestinez”, dhe shprehën solidaritet “me protestat, marshimet, kampet, flotilat, grevat dhe veprimet e tjera që kundërshtojnë gjenocidin dhe mungesën e vullnetit të shteteve për ta mbajtur Izraelin përgjegjës”.
Ata deklaruan se vendimi “ofron një kundërnarrativë ndaj narrativës së sigurisë që Izraeli dhe aleatët e tij e përhapin në mënyrë të vazhdueshme”, duke refuzuar gjuhën që e përshkruan vuajtjen palestineze thjesht si një katastrofë humanitare.
Juria tha se ka dëgjuar prova të gjera për krimet, shkaqet e tyre, bashkëpunimin dhe përfshirjen e aktorëve të tjerë, si dhe qëndrueshmërinë e palestinezëve, duke vënë në dukje se gjetjet e saj bazohen në të drejtën ndërkombëtare, traktatet për të drejtat e njeriut, Statutin e Romës dhe “besimin e palëkundur se çdo jetë njerëzore ka vlerë të barabartë”.
Ajo theksoi se deklarata e saj mbështetet në imperativët moralë të drejtësisë natyrore dhe përsëriti e mbështeti Deklaratën e Sarajevës të miratuar në maj 2025.
– Spektri i krimeve
Juria dënoi atë që e quajti “gjenocid të vazhdueshëm” dhe “model koherent dhe të qëndrueshëm të dhunës shfarosëse”, duke përfshirë shkatërrimin e qëllimshëm të pronave banesore dhe infrastrukturës – energjisë elektrike, ujit, kanalizimeve – që çojnë në humbje të thellë kulturore dhe shpërbërje komunitare, si dhe shkatërrimin e furnizimeve me ujë, spitaleve, shkollave, universiteteve, vendeve kulturore dhe bujqësisë.
Ajo theksoi se “përdorimi i urisë si armë, mohimi i kujdesit shëndetësor dhe zhvendosja e detyruar nuk janë dëme dytësore të luftës – ato janë instrumente të ndëshkimit kolektiv … dhe të gjenocidit”. “Ato nuk justifikohen me asnjë pretendim për objektiva ushtarake”, shtoi juria.
Përveç gjenocidit, deklarata akuzoi Izraelin për një sërë krimesh të tjera, si:
• Uri dhe zi masive buke nëpërmjet mohimit të qëllimshëm të ushqimit, ujit dhe shkatërrimit sistematik të sistemit ushqimor;
• Përkufizim i zgjeruar i domicidit, duke përfshirë shkatërrimin e kujtimeve, shpresave dhe vazhdimësisë kulturore;
• Përkufizim i zgjeruar i ekocidit, duke përfshirë dëmet katastrofike mjedisore që shkatërrojnë aftësinë për të mbijetuar pas ndërprerjes së bombardimeve;
• Shkatërrim i qëllimshëm dhe shënjestrim i infrastrukturës dhe personelit të kujdesit shëndetësor, i përshkruar si “sistematik për dekada”;
• Reprocid, i përcaktuar si shënjestrim sistematik i kujdesit riprodhues palestinez për të eliminuar jetët e ardhshme dhe aftësinë për t’u riprodhuar në mënyrë të sigurt;
• Skolasticid, i përshkruar si gjenocid i dijes përmes vrasjes, heshtjes dhe zhvendosjes së një brezi studentësh dhe mësuesish;
• Sulme ndaj gazetarëve, të përshkruara si shënjestër e “dokumentacionit të gjenocidit”;
• Torturë, dhunë seksuale, zhdukje dhe dhunë me bazë gjinore në kontekste të shumëfishta;
• Politicid – vrasje dhe rrëmbim i udhëheqësve politikë dhe kulturorë, përfaqësuesve, aktivistëve dhe shkatërrim i institucioneve civile.
– Akuza për bashkëfajësi
Raporti tha se qeveritë perëndimore – veçanërisht SHBA-ja – janë bashkëfajëtore dhe në disa raste bashkëpunuese duke ofruar “mbulim diplomatik, armë, pjesë armësh, inteligjencë, ndihmë dhe trajnim ushtarak … duke përbërë shkelje të detyrimit të tyre ligjor për të parandaluar gjenocidin dhe për të bashkëpunuar në përfundimin e shkeljeve të normave themelore të së drejtës ndërkombëtare – gjenocidin dhe të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje”.
“Heshtja dhe mosveprimi përballë gjenocidit nuk janë opsione dhe janë forma të tjera të bashkëpërgjegjësisë”, thuhet në dokument.
Gjetjet shtuan se media, institucione akademike, zinxhirë globalë të furnizimit, banka, kompani transporti, kompani të teknologjisë së lartë dhe shërbime të kompjuterëve në “cloud” po e mbajnë në këmbë përpjekjen e luftës – ashtu si raportimi i njëanshëm i mediave perëndimore që përputhet me interesat politike dhe ekonomike të elitave sunduese – duke formuar atë që përshkruhet si “ekonomia politike e gjenocidit … forma më e lartë e hiperimperializmit të shekullit XXI”.
Juria theksoi se qeverisja globale po dështon në përmbushjen e detyrave të saj. “Kombet e Bashkuara, të paralizuara nga vetoja dhe selektiviteti politik, kanë hequr dorë nga përgjegjësia themelore ‘për të shpëtuar brezat pasardhës nga murtaja e luftës’”.
Megjithatë, ajo vlerësoi mekanizmat e posaçëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, përfshirë raportuesen e posaçme Francesca Albanese dhe Komisionin Hetimor.
– Shkaqet dhe kërkesat
Nisma i lidhi ngjarjet aktuale me “një regjim kolonial-aparteid mbi një shekull të vjetër, të rrënjosur në ideologjinë supremaciste të sionizmit … të mbështetur nga një strukturë neokoloniale e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, dhe e mbrojtur nga bashkëpunimi ndërkombëtar”/
Ajo tha se gjenocidi është “jashtëzakonisht i dukshëm në kohë reale” dhe kryhet me teknologji të avancuar kundër një popullsie të mbyllur, dhe se pavarësisht ndërhyrjeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Izraeli i ka injoruar proceset gjyqësore ndërkombëtare me pandëshkueshmëri, e madje edhe personeli i GJNP-së dhe OJQ-të që e ndihmojnë atë janë sanksionuar nga SHBA-ja.
Ndër rekomandimet e saj ishin thirrjet:
• Për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë autorët, mbështetësit dhe mundësuesit “politikë, ushtarakë, ekonomikë dhe ideologjikë”;
• Për ta pezulluar Izraelin nga organizatat ndërkombëtare, veçanërisht nga OKB-ja;
• Për të aktivizuar mekanizmin “Të bashkuar për paqe” për të mandatuar një forcë mbrojtëse për territoret palestineze.
Ajo riafirmoi të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje dhe bëri thirrje për “qëndresë dhe moszhvendosje”, së bashku me një lëvizje globale të koordinuar për të çmontuar strukturat sioniste dhe për ta izoluar regjimin në të gjitha fushat.
“Lufta është me sionizmin si projekt racist, supremacist dhe kolonial – jo me hebrenjtë apo judaizmin”, thuhet në deklaratë.
Ajo bëri thirrje për një “rend të vetëm politik të bazuar në të drejta, mbi barazinë, dekolonizimin, kompensimin dhe të drejtën e pakufizuar të kthimit”.
Duke shpallur gjetjet “në emër të drejtësisë, dinjitetit dhe paqes”, juria përfundoi me paralajmërimin përfundimtar: “Heshtja nuk është neutrale; heshtja është bashkëfajësi; neutraliteti është dorëzim ndaj së keqes”.
– Tribunali i Gazës
Seancat publike të mbajtura në Universitetin e Stambollit nga e enjtja deri të dielën shënuan përmbylljen e një përpjekjeje njëvjeçare nga juristë, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile ndërkombëtare për të dokumentuar atë që ata e përshkruajnë si krime të Izraelit kundër palestinezëve.
Të enjten, sesionet u ndërtuan mbi dëgjesat e mëparshme në Sarajevë dhe forume të tjera globale, duke bashkuar gjetjet në tri dhoma tematike: “E drejta ndërkombëtare”; “Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rendi botëror”; dhe “Historia, etika dhe filozofia”.
Tribunali prezantoi në seancën e të premtes ekspertiza dhe dëshmi dëshmitarësh lidhur me urinë, ekocidin, domicidin dhe synimin ndaj civilëve dhe infrastrukturës publike, përfshirë sistemin e kujdesit shëndetësor dhe atë arsimor.
Seancat e së shtunës u përqendruan në bashkëpërgjegjësinë, sistemin ndërkombëtar, rezistencën dhe përpjekjet për solidaritet global.
Dita e fundit përfshiu një diskutim të rrumbullakët me reflektime dhe vlerësime të përgjithshme mbi punën e gjykatës.
I kryesuar nga Richard Falk, ish-raportues i posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, tribunali synon të prodhojë një dokument të plotë – një “regjistër popullor” – të asaj që pjesëmarrësit përshkruajnë si gjenocid, aparteid dhe shkelje sistematike të së drejtës ndërkombëtare në Gaza.



Të tjera
Ja si duhet ta hani vezën nëse keni probleme me diabetin
Shqipëri, reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje në disa zona
K*rim tronditës në Slloveni, dorëhiqen dy ministra