Trump: Disa raketa Patriotë janë tashmë rrugës për në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se disa raketa kundërajrore për sistemin mbrojtës, Patriot, janë tashmë rrugës për në Ukrainë, një ditë pasi njoftoi se vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armë në Ukrainë.

Trumpi e ndryshoi qëndrimin e tij rishtazi, pasi më herët ishte kundër dërgimit të armëve amerikane në vendin e përfshirë nga lufta.

“Ato po vijnë nga Gjermania”, u tha Trump gazetarëve mbrëmjen e së martës, pa dhënë më shumë hollësi.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, tha se janë duke u bërë përgatitje për t’ia dorëzuar Ukrainës dy sisteme Patriot.

Hollësitë “duken të zgjidhshme për të dyja palët, kështu që do të fillojmë punën shpejt”, shtoi Pistorius, duke theksuar se Ukrainës i nevojiten urgjentisht sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

Dronë rusë Shahed sulmuan qytetin e Harkivit në mbrëmjen e së martës, duke plagosur dy njerëz, raportuan autoritetet vendëse. Guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, tha se të paktën 17 shpërthime u dëgjuan në qytet brenda 20 minutash.

Trump tha se nuk ka folur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që nga dita e hënë, kur njoftoi se i kishte thënë afat prej 50 ditësh Rusisë ta pranojë një marrëveshje armëpushimi për ta shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që bëjnë tregti me Rusinë.

Trump nuk tha nëse janë planifikuar bisedime për të arritur një marrëveshje, por mbrojti afatin kohor.

Trump u pyet gjithashtu për një raport të gazetës The Financial Times, sipas të cilit ai e kishte nxitur privatisht Ukrainën t’i intensifikonte sulmet në thellësi të Rusisë.

Duke cituar burime të informuara mbi diskutimet, gazeta tha se Trump e kishte pyetur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nëse ushtria ukrainase mund ta godiste Moskën nëse SHBA-ja do t’i jepte armë me rreze të gjatë veprimi.

“Jo, ai nuk duhet ta sulmojë Moskën”, tha Trump për gazetarët të martën, kur u pyet nëse Zelensky duhet të urdhërojë sulm mbi kryeqytetin rus.

Zyrtarët evropianë po punojnë për t’u siguruar që Ukraina do t’i marrë armët që i nevojiten, ndërsa Bashkimi Evropian po përpiqet të arrijë një marrëveshje për një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë, pasi Sllovakia sërish bllokoi paketën e fundit.

“Jam vërtet e mërzitur që nuk e arritëm këtë marrëveshje sot”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, të martën.

“Por, ende shpresoj se do ta marrim vendimin nesër”, shtoi ajo.

Rundi i ri i sanksioneve është bllokuar prej javësh për shkak të një mosmarrëveshjeje me Sllovakinë mbi planet e veçanta për t’i ndërprerë importet e gazit rus.

Kryeministri sllovak, Robert Fico, tha se ka nevojë për garanci të mëtejshme nga Brukseli lidhur me planet për t’i ndërprerë importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027.

Sllovakia mbetet e varur nga importet e gazit rus dhe përfiton të ardhura nga tarifat e transitit për furnizimet që kalojnë përmes territorit të saj./REL