Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje me Washingtonin, në një kohë kur SHBA-ja ka dislokuar mjete shtesë ushtarake amerikane në rajon, përfshirë një grup goditës me aeroplanmbajtëse.
Në një intervistë për faqen e lajmeve “Axios”, Trump tha se situata me Iranin është “në ndryshim”, duke përmendur mbërritjen e asaj që ai e përshkroi si një “armadë e madhe” pranë Iranit, duke iu referuar dislokimit të një grupi goditës me aeroplanmbajtëse në rajon.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. E di këtë. Kanë telefonuar në shumë raste. Ata duan të flasin”, shtoi ai.
SHBA-ja dislokoi të hënën Grupin Goditës të Aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në Lindjen e Mesme, ndërsa Washingtoni forcon qëndrimin e tij rajonal. Aeroplanmbajtësja e klasës Nimitz hyri në rajon “për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, duke filluar më 28 dhjetor në Çarshinë e Madhe të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të fortë të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më pas u përhapën në disa qytete të tjera.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të “godasë fort” nëse protestuesit vriteshin, por më vonë zbuti retorikën, duke sugjeruar se Teherani ka anuluar qindra ekzekutime të planifikuara.
Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e “trazirave të armatosura” dhe kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të shkaktonte një përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”.
Qershorin e kaluar, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit, duke nxitur sulme hakmarrëse me dronë dhe raketa nga Teherani, përpara se Uashingtoni të njoftonte një armëpushim.



Të tjera
Çka përfaqëson opozita në Kosovë? Sejdiu thotë se këto parti s’kanë qëndrime të qarta
Miratimi i rezolutës nga Komiteti, hap i rëndësishëm për shqiptarët
Dërgohen në mbajtje për 48 orë zyrtarët komunalë të Prishtinës, që u arrestuan në aksionin e sotëm