Trump kërcënon Indinë me tarifa shtesë për shkak të blerjes së naftës ruse

Trump kërcënon Indinë me tarifa shtesë për shkak të blerjes së naftës ruse

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të rrisë “ndjeshëm” tarifat kundër Indisë për shkak të blerjes së naftës nga Rusia, ka raportuar BBC.

India e ka quajtur të “pajustifikueshme dhe të paarsyeshme” kërcënimin e Donald Trump-it për vendosjen e tarifave shumë më të larta për shkak të blerjes së naftës nga Rusia.

Në një postim në platformën Truth Social, presidenti amerikan paralajmëroi se do të rrisë taksat doganore, duke thënë se India “nuk interesohet sa njerëz po vriten në Ukrainë nga makineria ushtarake ruse”.

Aktualisht, India është ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse. Ajo është bërë një treg i rëndësishëm eksporti për Moskën, pasi disa vende evropiane ndërprenë tregtinë me Rusinë pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Trump nuk specifikoi se sa do të jetë tarifa e re, por kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pasi ai shpalli një taksë të rëndë prej 25% ndaj Indisë.