Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit që të ecin me shpejtësi drejt zbatimit të planit amerikan për armëpushim në Gaza, ndërsa delegacionet e të tria palëve janë nisur për në Kajro për të finalizuar marrëveshjen.
Në Egjipt, delegacionet nga Hamasi, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara pritet të zhvillojnë raundin e fundit të negociatave për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare në Rripin e Gazës.
Presidenti Trump ka deklaruar se Izraeli ka pranuar një vijë fillestare të tërheqjes së trupave dhe se armëpushimi mund të hyjë në fuqi menjëherë nëse Hamasi jep pëlqimin përfundimtar. Ai paralajmëroi gjithashtu Hamasin se “nuk do të tolerojë vonesa” në arritjen e marrëveshjes.
Në Izrael, kryeministri Benjamin Netanyahu është shprehur se të gjithë pengjet izraelite mund të lirohen brenda pak ditësh, ndërsa presidenti Isaac Herzog ka dhënë mbështetje të plotë për përpjekjet e armëpushimit.
Megjithatë, propozimi për vijën e tërheqjes ka shkaktuar përçarje brenda koalicionit qeverisës, ku ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e ka quajtur planin “një disfatë kombëtare”.
Delegacionin izraelit në bisedime do ta udhëheq ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, i cili do të ketë përkrah vetes koordinuesin për të zhdukurit dhe pengjet, Gal Hirsch, gjeneralin Nitzan Alon nga ushtria, si dhe një përfaqësues të shërbimit sekret Shin Bet.
Nga ana tjetër, një delegacion i Hamasit pritet të arrijë në Kajro për bisedime që synojnë jo vetëm armëpushimin, por edhe lirimin e të gjithë pengjeve.
Egjipti ndërkohë ka paralajmëruar një “dialog të brendshëm palestinez” për të diskutuar të ardhmen e Gazës pas luftës.
Në emër të Shteteve të Bashkuara, në Kajro do të udhëtojnë i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, për të negociuar detajet e lirimit të pengjeve dhe aspektet e tjera të planit të paqes.
Ndërkohë, pavarësisht deklaratave të Trump se bombardimet izraelite janë “ndalur përkohësisht”, sipas autoriteteve spitalore në Gaza, të paktën 67 persona janë vrarë të shtunën, mes tyre shumë fëmijë.
Në Tel Aviv, mbi 120 mijë qytetarë kanë dalë në protesta duke kërkuar që qeveria të pranojë marrëveshjen e armëpushimit dhe të sigurojë kthimin e pengjeve.
Ndërsa në Londër, policia britanike ka arrestuar afro 500 persona që kishin dalë në mbështetje të grupit të ndaluar “Palestine Action”.
Negociatat në Kajro pritet të zhvillohen gjatë ditëve në vijim, me shpresën se do të çojnë drejt një marrëveshjeje historike që do t’i japë fund konfliktit shkatërrimtar në Gaza.



Të tjera
Shafrani i Indisë lufton shumë sëmundje, ndër to dhe kancerin
Shtëpia ku ndodhi masakra e 15 prillit 1999 në Lagjen e Boshnjakëve po shndërrohet në muze
Pse disa njerëz plaken më shpejt se të tjerët