Presidenti francez thekson sovranitetin europian dhe mbështetjen për Ukrainën, duke paralajmëruar kundër kërcënimeve tregtare nga SHBA-ja.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i është kundërpërgjigjur ish-presidentit amerikan Donald Trump lidhur me kërcënimin e tij për vendosjen e tarifave ndaj vendeve europiane.
“Franca është e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së kombeve, në Europë si edhe gjetkë”, ka shkruar Macron në një postim në rrjetet sociale, raporton Sky News. Ai theksoi se këto parime udhëheqin zgjedhjet politike të Francës dhe mbështesin lidhjen e saj me Kombet e Bashkuara dhe Kartën e tyre.
Macron nënvizoi se mbi këtë bazë Franca vazhdon të mbështesë Ukrainën në luftën e saj përballë agresionit rus. Po ashtu, ai bëri të ditur se Parisi ka vendosur t’i bashkohet ushtrimit të organizuar nga Danimarka në Groenlandë, duke e lidhur këtë vendim me sigurinë në Arktik dhe në kufijtë e Europës.
“Ne qëndrojmë pas këtij vendimi, sidomos sepse lidhet me sigurinë në Arktik dhe në kufijtë e Europës sonë”, tha Macron.
Presidenti francez shtoi se udhëheqësit europianë nuk do të ndikohen nga frikësimi apo kërcënimet. “Kërcënimet me tarifa janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në këtë kontekst”, theksoi ai.
Sipas Macronit, nëse këto kërcënime konfirmohen, Europa do të reagojë në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar. “Ne do të dimë si ta mbrojmë sovranitetin europian”, përfundoi ai, duke shtuar se do të diskutojë këtë çështje me partnerët europianë.



Të tjera
Kushdo që ka tjetërsuar vullnetin e votuesve do të përballet me drejtësinë
5 shenjat se nuk po merrni mjaftueshëm vitaminë D
As nuk është konsultuar me mua, as me kolegët e tjerë