Trump përballet me pengesa në përpjekjen për takimin Putin-Zelensky

Trump përballet me pengesa në përpjekjen për takimin Putin-Zelensky

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, këtë javë shpalli një përparim diplomatik në përpjekjet për ta afruar Moskën dhe Kievin drejt paqes, duke njoftuar se kishte nisur përgatitjet për një takim të drejtpërdrejtë mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

 

Mirëpo, vetëm katër ditë më vonë, optimizmi i tij u zbeh ndjeshëm. Shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, deklaroi se Putini nuk do të takohet me Zelenskyn pa u dakorduar më parë mbi disa nga kërkesat e kahmotshme të Moskës për t’i dhënë fund luftës.

Ky zhvillim shihet si një pengesë serioze për Trumpin, i cili në fushatën zgjedhore kishte premtuar se do ta përfundonte luftën që ditën e parë të marrjes së detyrës.

“Do të shohim nëse do të ketë takim apo jo. Nëse nuk ndodh, unë do të di çfarë hapash do të ndërmarr brenda dy javësh”, tha Trump në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, duke lënë të hapur mundësinë për vendosjen e sanksioneve ose tarifave të reja ndaj Rusisë.

Takimi i kësaj jave me Zelenskyyn dhe liderët evropianë në Washington u prit me tone pozitive nga partnerët evropianë, pasi Trump premtoi mbështetje për garancitë e sigurisë në një Ukrainë pasluftës. Megjithatë, pasiguria është rritur ditët e fundit, pasi Rusia ka kundërshtuar disa nga pikat kryesore të propozimeve fillestare.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, në një intervistë për NBC, sqaroi se “nuk ka takim të planifikuar” dhe se një samit mund të mbahet vetëm kur të jetë e qartë dhe e gatshme agjenda, e cila sipas tij, “nuk është gati aspak”.