Trump premton mbrojtjen e Katarit pas su*lmit izr*aelit

Trump premton mbrojtjen e Katarit pas su*lmit izr*aelit

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër-ekzekutiv duke premtuar përdorimin e të gjitha masave, përfshirë veprimet ushtarake amerikane, për të mbrojtur Katarin e pasur me energji, megjithëse mbetet e paqartë se çfarë peshe do të ketë ky zotim.

Teksti i urdhrit, i publikuar të mërkurën në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, por i datës së hënë, duket të jetë një masë tjetër nga Trump për t’u dhënë siguri katarianëve pas sulmit të befasishëm të Izraelit ndaj këtij vendi, që kishte në shënjestër udhëheqësit e Hamasit, teksa po shqyrtonin pranimin e një armëpushimi me Izraelin lidhur me luftën në Rripin e Gazës, raporton AP.

Urdhri përmend “bashkëpunimin e ngushtë” dhe “interesin e përbashkët” mes dy vendeve, duke premtuar të “garantojë sigurinë dhe integritetin territorial të shtetit të Katarit kundër sulmeve të jashtme”.

“Shtetet e Bashkuara do ta konsiderojnë çdo sulm të armatosur ndaj territorit, sovranitetit ose infrastrukturës kritike të shtetit të Katarit si një kërcënim për paqen dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në urdhër.

“Në rast të një sulmi të tillë, Shtetet e Bashkuara do të marrin të gjitha masat ligjore dhe të përshtatshme, përfshirë ato diplomatike, ekonomike dhe, nëse është e nevojshme, ushtarake, për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit të Katarit dhe për të rikthyer paqen dhe stabilitetin”.

Urdhri duket se u dha gjatë një vizite të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington të hënën. Gjatë vizitës, Trump organizoi një telefonatë të Netanyahut me Katarin, në të cilën Netanyahu “shprehu keqardhje të thellë” për sulmin që vrau gjashtë persona, përfshirë një pjesëtar të forcave të sigurisë së Katarit, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarët katarianë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi urdhrin e Trump. Megjithatë, rrjeti satelitor Al Jazeera, i financuar nga Katari, raportoi gjerësisht për këtë, të mërkurën, me titullin: “Urdhri i ri ekzekutiv i Trump garanton sigurinë e Katarit pas sulmit izraelit”.

Shtrirja e vërtetë e këtij zotimi mbetet në pikëpyetje. Zakonisht, marrëveshjet ligjërisht detyruese, ose traktatet, duhet të marrin miratimin e Senatit amerikan. Megjithatë, presidentët kanë hyrë edhe në marrëveshje ndërkombëtare pa miratimin e Senatit, siç bëri presidenti Barack Obama me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore dhe Iranin./rtk