I dërguari i Turqisë në OKB, Ahmet Yildiz, i ka bërë thirrje komunitetit global për nxitjen e Izraelit që të bashkohet me Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore (NPT) dhe të pranojë verifikimin e plotë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) mes sulmeve të vazhdueshme ndaj Iranit, transmeton Anadolu.
“Turqia dënon, me fjalët më të ashpra, sulmet e fundit të kryera nga Izraeli kundër Iranit”, tha Yildiz në një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Iranin, duke shtuar se sulmet janë “një shkelje e dukshme e Kartës së OKB-së”.
Duke theksuar se “një përplasje më e gjerë rajonale do të përkeqësonte rrezikun e përhapjes bërthamore ose radiologjike dhe zhvendosjes masive”, Yildiz gjithashtu tha se kjo do të “prishte rrugët globale të tregtisë dhe transportit, si dhe do të rrezikonte sigurinë e energjisë në një moment të paqëndrueshmërisë akute”.
Ai kritikoi “sulmet e qëllimshme të Izraelit kundër objekteve bërthamore të mbrojtura në Iran” si “të pashembullta”, duke theksuar se ato “shkelin ligjin ndërkombëtar” dhe marrëveshjet përkatëse të IAEA-së.
“Aktivitetet e verifikimit të IAEA-s brenda Iranit tashmë janë penguar”, theksoi ai.
Duke e quajtur “thellësisht shqetësuese që një shtet jo anëtar i NPT-së, i cili ruan errësirë të qëllimshme në lidhje me aftësitë e veta bërthamore, po sulmon infrastrukturën bërthamore të një shteti anëtar të NPT-së nën masa mbrojtëse”, Yildiz tha: “Kjo pakujdesi godet në zemër të regjimit global të mos përhapjes, duke na detyruar të gjithëve të reflektojmë mbi pasojat e tij më të gjera”.
“Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për t’i kërkuar Izraelit të aderojë në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore si një shtet jo-bërthamor dhe të pranojë verifikimin e fuqishëm të IAEA-s”, tha ai.
Duke përsëritur angazhimin e Turqisë ndaj diplomacisë, ai tha: “Ne vazhdojmë të besojmë se diplomacia është e vetmja rrugë e arsyeshme përpara”.
Ai theksoi gjithashtu se kriza në Rripin e Gazës nuk duhet të lihet pas dore, duke paralajmëruar se “sulmi i Izraelit ndaj Iranit nuk mund të errësojë krimet e vazhdueshme që po kryhen kundër popullit palestinez”.
“Imponimi i paqes nuk është më thjesht një opsion, është një domosdoshmëri për të ruajtur besueshmërinë e sistemit të OKB-së dhe për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.



Të tjera
Luana Bajrami shkëlqen në Oscars, “Two People Exchanging Saliva” fiton çmimin për filmin më të mirë të shkurtër
Bllokada në Kuvend rrezikon fatin e marrëveshjeve ndërkombëtare 121-milionëshe
Ademi takon Konjufcën, flasin për përgatitjet e Kosovës për ndeshjen ndaj Sllovakisë