Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime të thella familjes Topilla për vdekjen e Behar Topillës, të mbijetuarit të vetëm të masakrës së Shavarinës në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, përcjell KosovaPost.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti tha se Behari 26 vite më parë i shpëtoi plumbave të forcave serbe, ndërsa vdiq sot nga një sëmundje në moshën 45-vjeçare në Suedi.
Tutje Kurti shtoi se rrëfimi i Beharit i regjistruar dhe i përshkruar disa herë, do të mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të të mbijetuarve të drejtpërdrejtë të masakrave të kryera nga forcat serbe.
Postimi i plotë:
Thellësisht pikëlluese të kuptoj që ka vdekur Behar Topilla, i vetmi i mbijetuar i masakrës së kryer nga forcat armike serbe te vendi Shavarinat në Çikatovë të Vjetër të Drenasit. Një njeri që 26 vite më parë e kishte patur fatin të shpëtonte nga plumbat e forcave serbe, vdiq sot nga një sëmundje, në moshën 45 vjeçare, në Suedi ku jetonte.
Më 30 prill të vitit 1999, forcat serbe filluan të shtinin me artileri në drejtim të dhjetëra fshatrave të Drenasit dhe Skenderajt. Mijëra njerëz i braktisën shtëpitë e tyre duke kërkuar strehim gjithandej dhe duke u zhvendosur drejt malesh e zonash më të thella. Pasi i dëbuan nga shtëpitë e tyre, forcat okupatore serbe nisën t’i gjurmonin të zhvendosurit kudo që ishin strehuar.
Kështu në mesditën e 1 prillit 1999, njësite ushtarake serbe e morën një grup prej 176 personash që ishin strehuar në xhaminë e fshatit Qirez. Ndër ta ishte edhe Behar Topilla, i cili bashkë me dhjetëra të tjerë, mes torturash dhe dhunës fizike, përfundoi në radhë për t’u pushkatuar nga ushtarët serbë, pranë një grope te Shavarinat afër minierës së Feronikelit. Rrugës, atë e kishin plagosur duke e shpuar në krahë dhe duar me goditje me thikë.
I zënë poshtë trupave të mbi 40 të vrarëve, Behari u shpëtoi plumbave dhe më pas ciflave të bombave. Rrëfimi i Behar Topillës, i regjistruar dhe i përshkruar disa herë, do të mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të të mbijetuarve të drejtpërdrejtë të masakrave të kryera nga forcat serbe, gjatë spastrimit etnik të Kosovës nga shqiptarët dhe gjenocidit të kryer ndaj tyre.
Ngushëllime familjes Topilla dhe miqve të Beharit si dhe atyre që e kanë njohur.
Behar Topilla, u kujtoftë gjithmonë mes nesh bashkë me historinë dhe rrëfimet e tij!



Të tjera
Shkencëtarët paralajmërojnë kundër krijimit të majmunit me tru njeriu
Majdanozi, vlerat e rralla për veshka të shëndetshme
Karota parandalon kancerin