​U ‘sëmur’ në SHBA por shkoi në Rusi, Islami: Vuçiq përpiqet ta luajë rolin e ndërmjetësuesit

Aleksandar Vuçiq po përpiqet në vazhdimësi të përfitojë edhe nga Shtetet e Bashkuara, edhe nga Rusia, thotë eksperti i sigurisë, Avni Islami, derisa flet për vizitën që presidenti serb po zhvillon në Moskë.

Vuçiq do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq më 9 maj, pavarësisht kundërshtimit të Bashkimit Evropian.

Komisionarja për Zgjerim e bllokut, Marta Kos tha ditë më parë se nëse Vuçiq shkon në Moskë, ajo do ta ketë shumë më të vështirë t’i ndihmojë Serbisë të qëndrojë e përkushtuar në rrugën evropiane.

Më 9 maj, Rusia shënon 80-vjetorin e fitores kundër fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.

Përveç tjerash, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se Vuçiq po përpiqet përmes shtetit serb ta luajë rolin e ndërmjetësuesit mes SHBA-së dhe Rusisë.

 

Islami: Vuçiq përpiqet ta luajë rolin e ndërmjetësuesit midis SHBA-së e Rusisë

“Matematikat e fuqive të mëdha janë të mëdha. Pa dyshim që ky (Vuçiq) është dashur që të ndëshkohet. Duhet theksuar edhe një fakt, se ky përpiqet që përmes shtetit serb ta luajë një rol si një lloj ndërmjetësuesi në mes SHBA-së dhe Rusisë. Por, faktikisht amerikanët dhe rusët nuk janë të interesuar për ndërmjetësues, sepse ata flasin dhe bisedojnë në mënyrë diplomatike me diplomatë e vet”, thotë Islami.

Ish-diplomati serb Nebojsha Vujoviq, tha se Vuçiq peshkoi veten e tij, pasi mendoi “të bëjë një foto me Trumpin për të zbutur kërcënimin nga Evropa dhe për të shkuar në Moskë”.

Islami ndër të tjera flet edhe për arrestimin e fundit të një personi të dyshuar për spiunazh.

Prokuroria Speciale njoftoi se pas hetimeve disamujore ka arrestuar H.S, i dyshuar për spiunazh. Sipas njoftimit, aksioni dhe arrestimi u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si dhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Islami thotë se institucionet e sigurisë në Kosovë kanë prova të mjaftueshme për personin e arrestuar, por edhe për të tjerë që i shërbejnë BIA-s serbe.

 

Islami: Ekzistojnë prova të mjaftueshme se në Kosovë ka bashkëpunëtorë të Serbisë

“Arrestimi i djeshëm i një të dyshuari ku mendohet se ka prova të mjaftueshme se ishte bashkëpunëtor i BIA-s dhe se në të njëjtën kohë i njëjti kishte qenë në Siri dhe është akuzuar për terrorizëm. Unë besoj se institucionet e sigurisë së Kosovë kanë prova të mjaftueshme jo vetëm për këtë, por edhe për disa të tjerë. Kur merret parasysh që brenda një viti janë arrestuar pesë bashkëpunëtorë ose agjentë të BIA-së, kam theksuar se ky është vetëm fillimi dhe se në Kosovë vlojnë bashkëpunëtorë e agjentë të BIA-së”, thotë Islami.