“U tha se Hashim Thaçin e kanë vrarë”, Klosi zbulon të pathëna nga lufta e UÇK-së

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, komentoi debatin Rama-Kurti për protestën pro-UÇK-së që do të zhvillohet nesër në Tiranë dhe rrëfeu detaje të panjohura nga betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një lidhje me emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Klosi tregoi se gjatë luftës, në një nga tentativat e Hashim Thaçit për të kaluar në Shqipëri, SHIK-u kishte marrë informacion se komandanti kishte mbetur i vrarë nga forcat serbe, por më pas rezultoi se bëhej fjalë për një ngatërrim.

“Unë se di ça ka ndodhur në një qytet, në këtë datë, në atë datë. Unë kam opinionet e mia për ata njerëz që kam bashkëpunuar me ta. I kam adhuruar madje në një farë mënyrë sepse po sakrifikonin veten. E di mirë që po sakrifikonin. Hashimi biles njëherë u quajt se ishte vrarë në kufi, pastaj doli se jo ishte një tjetër, ishte ngatërruar. Nuk janë aq budallenj. Unë i njoh për njerëz të mençur. Që të binin në pozita të tilla, që të ishin kriminelë, kur po afrohej liria e vendit të tyre dhe heronjtë ishin ata. Nuk kishte asnjë kuptim,” tha Klosi.

Ai shtoi se nga mesi i 1998-ës deri në mesin e 1999-ës, komandantët e UÇK-së ishin heronj:

“Në atë periudhë këta ishin heronj dhe nuk kishin asnjë arsye që fundja të mbështesnin dikë në një krim. Absolutisht nuk e kanë lejuar. Po aq mundësi kishin. Ato ishin mundësitë. Unë them që situata deri këtu pse nuk ju dolën prokurorëve ato që mendonin… Dolën që ishin dëshmi të rreme, prandaj dhe u mbyllën ato. Gjoja për t’i mbrojtur, po u mbyllën për të parë se dëshmitë ishin… të paktën ato që kanë qenë të hapura kanë qenë deri njëri që thoshte i kanë hedhur kripë. Më vjen mirë që dëshmitaret e mbrojtjes dolën ato që dolën. Janë personazhe të rëndësishëm. Mund të them dhe unë që s’i kam quajtur kurrë terrorist, i kam quajtur heronj dhe i adhuroja me thënë të drejtën. Kishin rastin të bënin një gjë të madhe për vendin e tyre, por amerikanët ishin pak të qartë e të ftohtë. Domethënë amerikanët, britanikët sepse nuk bashkëpunonim me terroristë. Për mua ka dështuar ekipi i prokurorëve, u nisën me zhurmë të madhe dhe kanë dështuar dhe tani do përpiqen të justifikojnë dështimin e tyre.”

Klosi shpjegoi gjithashtu situatën e kompleksuar në terren gjatë luftës:

“Situata në Kosovë nga fillimi i bombardimeve është maj. Nga fillimi i bombardimeve deri në qershor që është akuza… Natyrisht ka qenë një situatë e turbullt në Kosovë, një vend që po kalonte nga një sistem i okupuar në një vend nën forcat e NATO-s, që jepte një shpresë shumë të madhe që do përfundonte në pavarësi… U bë një mbledhje atje. Unë konstatova që shumica e komandantëve të zonave për herë të parë takuan njëri-tjetrin. Nuk e kishin takuar se e kupton zona ku luftohesh… Nuk është se lëviznin kollaj,” rrëfeu Klosi.

Ai komentoi edhe ndërhyrjen e amerikanëve pas luftës për dorëzimin e armëve:

“Unë këta njerëz i kam njohur personalisht. Ne i mbanim heronj edhe gjatë luftës, sepse edhe ata kanë sakrifikuar. Nuk janë nga ata gjeneralët që rrinë në një shtab dhe vriten ushtarët poshtë. Këta e kanë kaluar disa herë atë kufirin që ishte shumë i vështirë, kanë shkuar në takime ndërkombëtare, domethënë kanë qenë vetë të rrezikuar… Ata po akuzohen që pse Ushtria Çlirimtare e Kosovës në fund të luftës dhe disa muaj nga akuza është mbas hyrjes së forcave të NATO-s… Nuk është ushtria e Kosovës ajo që jep garancinë në Kosovë. Është NATO që jep garancinë,” tha Klosi.