IKShPK: Uji nga Badoci nuk rekomandohet për pije

Uji nga Badoci nuk rekomandohet për pije

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se, për shkak të rritjes së vlerave të turbullirës në ujin e prodhuar nga fabrika për trajtimin e ujit “Badoc”, qytetarët nuk duhet ta konsumojnë atë deri në njoftimin e ardhshëm nga autoritetet shëndetësore, transmeton KosovaPost.

Sipas IKShPK-së, rritja e turbullirës mund të ndikojë në cilësinë e ujit dhe për këtë arsye instituti paralajmëron që uji të mos përdoret për pije derisa situata të normalizohet.

“IKShPK, në bashkëpunim të ngushtë me KRU ‘Prishtina’, po e monitoron situatën me ujë të pijshëm dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar që qytetarët të kenë akses në ujë të sigurt për konsum,” thuhet në njoftimin për media.

Instituti thekson se qytetarët duhet të tregojnë kujdes dhe të ndjekin rekomandimet zyrtare deri në përmirësimin e cilësisë së ujit.

Autoritetet po vazhdojnë analizat laboratorike dhe do të njoftojnë publikun menjëherë pas normalizimit të situatës.