“Ujqërit e Natës” parakalojnë në Banja-Llukë, shënohet Dita jokushtetuese e Republikës Sërpska

“Ujqërit e Natës” parakalojnë në Banja-Llukë, shënohet Dita jokushtetuese e Republikës Sërpska

Me paradë në sheshin qendror të Banja-Llukës, autoritetet e entitetit serb të Bosnjës e Hercegovinës shënuan 9 janarin si Ditën e Republikës Sërpska (RS), festë që Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur jokushtetuese, transmeton KosovaPost.

Midis më shumë se 2.600 pjesëmarrësve ishin anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RS-së dhe përfaqësues të sektorit civil.

Midis pjesëmarrësve ishin edhe përfaqësues të Klubit të Motoçiklistëve “Ujqërit e Natës”. Ata janë shpallur zyrtarisht si “një nga klubet më të fuqishme të motoçiklistëve në botë”, në radhët e të cilit përfshihen “luftëtarë nga Ushtria e Republikës Serbe” ndërsa “klubit i jepet peshë e veçantë nga fakti që presidenti rus Vladimir Putin është anëtar”.

Në paradë morën pjesë edhe automjete të blinduara fushore “Despot” dhe automjete të lehta taktike “Vihor”, ndërsa tre helikopterë “ANSAT” nga Administrata e Aviacionit të RS-së fluturuan sipër.

Ndër zyrtarët që morën pjesë në paradë ishin Ana Trishiq Babiq, presidente në detyrë e RS-së, Zheljka Cvijanoviq, anëtare e Presidencës së BeH-së, Savo Miniq, kryeministër i RS-së, Nenad Stevandiq, zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare të RS-së, Millorad Dodik, president i partisë SNSD-së, Nikolla Selakoviq, ministër në Qeverinë e Serbisë dhe të tjerë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dërgoi mesazh urimi me rastin e Ditës së RS-së, duke theksuar se “RS-ja u krijua për paqe dhe përfaqëson një nga shtyllat e ruajtjes së stabilitetit në rajon”. Ai theksoi se Serbia do të qëndrojë gjithmonë pranë Republikës Sërpska dhe popullit të saj.