Ukraina kërkon 100 `Rafale` dhe sisteme mbrojtjeje nga Franca

Ukraina kërkon 100 `Rafale` dhe sisteme mbrojtjeje nga Franca

Ukraina të hënën nënshkroi një dokument për blerjen e afro 100 avionëve luftarakë ‘Rafale’, dronë, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe pajisje të tjera të rëndësishme nga Franca gjatë 10 vjetëve të ardhshme, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurinë afatgjatë të vendit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili nënshkroi dokumentin me presidentin francez, Emmanuel Macron, e quajti këtë “një marrëveshje historike” në një konferencë të përbashkët për media në pallatin presidencial Élysée. Letra përbën një angazhim paraprak të Ukrainës që shpreh interesin e saj për blerjen e një sërë pajisjesh franceze të mbrojtjes, raporton AP.

“Së pari, Ukraina do të mund të marrë 100 avionë luftarakë ‘Rafale’ dhe radare shumë të fuqishme franceze, tetë sisteme mbrojtjeje ajrore SAMP/T, secila me gjashtë sisteme lëshimi,” tha Zelenskyy. “Kjo është një marrëveshje strategjike që do të funksionojë për 10 vjet, duke filluar nga viti i ardhshëm”, shtoi ai.

Macron e vlerësoi marrëveshjen si “një hap të ri përpara” në marrëdhëniet ndërmjet  Francës e Ukrainës.

Ai tha se marrëveshja e së hënës përfshin avionët më të fundit luftarakë francezë me armatim të plotë, si dhe programe trajnimi dhe prodhimi shoqëruese.