Ukraina pranon planin amerikan për paqe

Ukraina pranon planin amerikan për paqe

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se Ukraina është pajtuar me propozimin për paqe, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se “ende ka shumë punë përpara nesh”.

 

Sipas zyrtarit amerikan, Ukraina ka pranuar t’i japë fund luftës me Rusinë, me vetëm disa detaje të vogla që mbeten ende të pazgjidhura.

Lajmi për pranimin e propozimit nga Ukraina vjen në kohën kur Dan Driscoll, sekretari amerikan i ushtrisë, po zhvillon takime me zyrtarë rusë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, lidhur me propozimin për përfundimin e konfliktit.

Megjithatë, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se Rusia mund ta refuzojë versionin e rishikuar të planit të paqes të SHBA-së, nëse kushtet e tij ndryshojnë në mënyrë thelbësore nga mirëkuptimi që, sipas tij, është arritur në samitin e Alaskës mes SHBA-së dhe Rusisë.

Ndërkohë, gjatë natës kanë vazhduar luftimet dhe sulmet e ndërsjella. Zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se në Kiev janë vrarë gjashtë persona, ndërsa autoritetet ruse kanë raportuar se tre persona janë vrarë nga sulmet ukrainase në rajonin e Rostovit.

Rustem Umerov, kreu i sigurisë së Ukrainës, ka thënë se shpreson të organizojë një vizitë të presidentit Zelensky në Shtetet e Bashkuara në një datë sa më të afërt gjatë këtij muaji, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës po vazhdojnë.