Ukshini nga Brukseli: Është koha që Kosova të shfrytëzojë mundësitë që po i ofron BE-ja

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë qëndrimit të saj të fundit në Kosovë, ka përcjellë tri porosi të rëndësishme për vendin.

Ajo ka theksuar se është thelbësore që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të forta, të pavarura dhe funksionale, të cilat garantojnë sundimin e ligjit dhe transparencën në çdo nivel të qeverisjes

Krahas kësaj, Von der Leyen ka bërë thirrje për uljen e tensioneve të brendshme dhe për përmbylljen e hapave të nevojshëm drejt integrimit evropian, duke theksuar se ndërtimi i institucioneve të forta është çelësi për progres

E në lidhje me mesazhet e presidentes së KE, për “Bota sot” foli njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sylë Ukshini.

Image

Sylë Ukshini.

“Mendoj se tri porositë e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë tejet domethënëse për drejtimin që duhet të marrë Kosova në këtë fazë. Ndërtimi i institucioneve të forta dhe funksionale, ulja e tensioneve politike e ndëretnike, si dhe finalizimi i hapave për përfitim nga Plani i Rritjes, janë kushte që lidhen drejtpërdrejt me besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe me procesin e saj të integrimit evropian”, nënvizoi ai.

Rrjedhimisht, Ukshini i vlerësoi këto mesazhe si sinjal pozitiv dhe thirrje për maturi politike.

Krahas kësaj, tha se Kosova duhet të tregoj gatishmëri për bashkëpunim me partnerët evropianë, pasi vetëm kështu mund të përfitojë mbështetjen e BE-së.

“Këto porosi duhet parë si një sinjal inkurajues, por njëkohësisht edhe si thirrje për përgjegjësi dhe maturi politike. Heqja e masave ndëshkuese nga BE-ja do të duhej të ishte pjesë e këtij procesi, pasi ato tashmë nuk kanë asnjë justifikim praktik dhe vetëm e dëmtojnë pozitën e Kosovës në dialog dhe në raportet me Brukselin.

Më tej, ish-ambasadori zbërtheu edhe vizitën e presidentes së KE-së në shtetet e Ballkanit, ku tha se ajo përcolli një mesazh të qartë, “BE mbetet e përkushtuar” ndaj rajonit tonë.

“Turneu ballkanik i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duhet parë si një vizitë më shumë simbolike sesa përmbajtësore, që synoi të ringjallte besimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian, në një kohë kur zgjerimi është rikthyer si nevojë gjeostrategjike pas agresionit rus në Ukrainë.

Mesazhi kryesor ishte i qartë: Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj Ballkanit, por integrimi kërkon stabilitet politik, reforma të thella në sundimin e ligjit dhe përafrim me politikën e jashtme të BE-së. Megjithatë, mungesa e një oferte konkrete për afat kohor të anëtarësimit dhe hendeku ekonomik mes vendeve të rajonit e BE-së tregojnë se procesi mbetet i ngadalshëm dhe i pasigurt.

Në këtë kontekst, vizita e von der Leyen i dha një mesazh simbolik mbështetjeje, por edhe një kujtesë të qartë se përgjegjësia për përparim qëndron edhe te vetë qeveritë e rajonit, të cilat duhet të ndërmarrin reforma reale dhe të krijojnë kushte politike që e afrojnë Ballkanin me Evropën jo vetëm në fjalë, por edhe në standarde“, përfundoi Sylë Ukshini