UP-ja shpall afatin plotësues për regjistrimin e studentëve

UP-ja shpall afatin plotësues për regjistrimin e studentëve

Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se e ka shpallur konkursin për afatin plotësues të regjistrimit të studentëve për vitin akademik 2025-2026 i cili nga sot do të jetë i hapur deri më 10 shtator, përcjell KosovaPost.

UP-ja ka njoftuar se sipas konkursit, në nivelin e studimeve bachelor është paraparë pranimi i 2 mijë e 130 studentëve, ndërsa në nivelin master i 1mijë e 93 studentëve.

“Aplikimi për konkursin plotësues të nivelit bachelor bëhet në platformën http://apliko.uni-pr.edu duke nisur sot më 3 shtator 2025, në orën 14:00. Konkursi do të jetë i hapur deri më 10 shtator 2025, në orën 16:00. Aplikimin për studimet master mund ta bëni në të njëjtën platformë prej orës 14;00 të 3 shtatorit 2025, duke zgjedhur këtë nivel studimi. Edhe konkursi për nivelin master zgjat deri më 10 shtator. Provimet pranuese të afatit plotësues në të dy nivelet e studimit do të zhvillohen më 11 dhe 12 shtator 2025, ndërsa rezultatet preliminare të tyre do të shpallen më së voni më 14 shtator 2025 në orën 16:00”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Universiteti i Prishtinës thotë se programet e studimit të ofruara nga ta mbulojnë fusha të ndryshme studimi dhe janë të ndërtuara, sipas tyre, për të përgatitur studentët për sfidat e tregut të punës, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi të nevojshme për zhvillim profesional dhe personal.

“Universiteti i Prishtinës synon të krijojë një ambient të favorshëm akademik, ku studentët mund të rriten në aspektin intelektual dhe të arrijnë objektivat e tyre në karrierë. Ky universitet është më i vjetri, më i madhi dhe më i suksesshmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë dhe i rendituri më së larti në platformat e njohura ndërkombëtare nga të gjitha universitetet e hapësirave ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe në botë”, thotë UP-ja.