Futbollisti brazilian Douglas Costa është përfshirë në telashe serioze ligjore pasi gjykata në Porto Alegre ka lëshuar një urdhër arresti ndaj tij për mospagim të pensionit ushqimor në vlerë prej gjysmë milioni realësh (rreth 78 mijë euro), raporton Gazzetta dello Sport.
Një situatë e ngjashme i kishte ndodhur dy vite më parë, gjatë periudhës kur luante për Los Angeles Galaxy në MLS, kur u dënua me 30 ditë burg.
Pikërisht nga ajo kohë daton edhe urdhri i tanishëm i arrestit, i cili është i vlefshëm deri në fund të vitit 2025 dhe i jep autoriteteve braziliane të drejtën ta ndalojnë lojtarin në çdo moment.
Problemet e tij janë thelluar edhe në aspektin sportiv. Klubi australian Sydney FC, me të cilin Costa nënshkroi vitin e kaluar, njoftoi se kontrata është ndërprerë me pëlqim të ndërsjellë.
Arsyeja lidhet me pamundësinë e lojtarit për t’u rikthyer në Australi për shkak të çështjeve të hapura ligjore dhe personale në Brazil.
“Sydney FC ka ndërprerë bashkëpunimin me Douglas Costan. Lojtari nuk mund të kthehet në Australi për shkak të problemeve të vazhdueshme ligjore dhe personale në Brazil. Në 25 paraqitje, ai shënoi gjashtë gola dhe dha tetë asistime”, thuhet në njoftimin e klubit australian.
Vetë Costa e komentoi situatën përmes rrjeteve sociale, duke shprehur falënderim për eksperiencën e tij në Australi.
“Jam mirënjohës ndaj Sydney FC që më dha mundësinë të luaj këtu. Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Më vjen keq që nuk mund të kthehem, pasi ka gjëra që duhet të zgjidh në shtëpi, por gjithmonë do ta kujtoj këtë periudhë me gëzim. Faleminderit klubit dhe tifozëve për mbështetjen, kjo është një përvojë që nuk do ta harroj kurrë”, ka thënë Costa.
Në kulmin e karrierës së tij, Douglas Costa ka veshur fanellat e Shakhtar Donetsk, Bayern Munich dhe Juventus, duke treguar shkëndija të një talenti të madh, por pa arritur kurrë ta shfrytëzonte plotësisht potencialin e tij.
Të tjera
Tahiri: Kuvendi nuk është konstituar ligjërisht, Osmani i është afruar Kurtit për vota
Katër të arrestuarit për provokimin ndaj Trump në Londër lirohen me kusht
Mediat britanike raportojnë se Trump iu drejtua Kate Middletonit me “Përshëndetje bukuroshe”