Ushtarët ukrainas dyshojnë në planin e paqes me Rusinë

Ushtarët ukrainas dyshojnë në planin e paqes me Rusinë

Mes bodrumeve të lagështa dhe llogoreve me baltë për t’u përballur me sulmet e vazhdueshme ruse në luftën që po hyn në vitin e katërt, ushtarë të lodhur ukrainas thonë se motivimi i tyre forcohet nga fakti se po luftojnë për një kauzë më të lartë: mbrojtjen e atdheut.

 

Por, ndërsa negociatorët përpiqen të arrijnë një marrëveshje paqeje, trupat besojnë gjithashtu se Rusia mbetet e vendosur ta pushtojë Ukrainën, qoftë tani, qoftë me një ushtri të re pas disa vitesh, pavarësisht çfarë lloj marrëveshjeje arrihet.

Ata thonë gjithashtu se Kievi duhet të mbajë një ushtri të madhe për të mbrojtur vijën e frontit prej rreth 1.300 kilometrash.

“Forcat e Armatosura të Ukrainës janë tani barriera kryesore midis jetës paqësore civile të ukrainasve dhe fqinjit tonë të keq,” tha një artiler 40-vjeçar që foli për agjencinë Associated Press pranë kufirit mes rajoneve të Dnipropetrovskut dhe Donetskut. Ai u identifikua vetëm me nofkën e tij ushtarake “Kelt”, në përputhje me protokollet ushtarake dhe me kusht që vendndodhja e saktë të mos zbulohet.

Ushtarët shprehën dyshime të forta se Moska mund t’i përmbahet ndonjë marrëveshjeje paqeje. Pa garanci të forta sigurie, siç është anëtarësimi i Ukrainës në NATO, ata dhe analistë ushtarakë besojnë se një pushtim i ri rus me trupa dhe pajisje të reja është i pashmangshëm.