“Ushtrim i nivelit të lartë: Policia e Kosovës dhe aleatët ndërkombëtarë gati për çdo skenar krizash!”

Në kampin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë është mbajtur ushtrimi i përbashkët operacional “Shpata e Artë”, me pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Qëllimi i këtij ushtrimi ishte fuqizimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional për reagim emergjent në raste kritike, duke garantuar një ambient të sigurt dhe një reagim të shpejtë, efikas dhe efektiv ndaj çdo sfide të mundshme në aspektin e sigurisë publike.

Ushtrimi u ndoq nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, si dhe nga komandantët e KFOR-it, EULEX-it, FSK-së dhe eprorë të lartë të Policisë së Kosovës.

Në përfundim të ushtrimit, kolonel Hoxha përgëzoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe të institucioneve pjesëmarrëse, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës në sigurimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.