Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, priti sot në një takim zyrtar komandantin e Misionit të NATO në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş.
Gjatë takimit, Kingji e uroi gjeneralmajor Ulutaş për marrjen e mandatit të dytë në krye të KFOR, duke e vlerësuar këtë si një dëshmi të profesionalizmit, angazhimit dhe përkushtimit të tij për të realizuar detyrat dhe misionin për ruajtjen e paqes, për konsolidimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me autoritetet në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.
Diskutimet u përqendruan në situatën e përgjithshme të sigurisë, si dhe në sfidat dhe kërcënimet që mund të dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit në tërësi.
Kingji theksoi se, duke pasur parasysh sfidat dhe kërcënimet aktuale dhe të pritshme për mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, vazhdimi i misionit të NATO-s në Kosovë është më i rëndësishëm se kurrë.
Ai gjithashtu theksoi angazhimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të mbështetur misionin e KFOR-it në mënyrë të vazhdueshme.
Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş shprehu konsideratat e tij për profesionalizmin dhe kontributin e çmuar të trupave shqiptare në kuadër të angazhimeve në KFOR.
Në përfundim të takimit, u vlerësuan përpjekjet reciproke për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Komandanti i KFOR gjeneralmajor Özkan Ulutaş, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, u prit gjithashtu në një takim zyrtar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj./atsh.al
Të tjera
Kurti:Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar forcojnë bashkëpunimin në fushat kyçe
Kosova në stadiumet sllovene – vendim i papritur për përdorimin e simboleve kombëtare
PE për Serbinë: Vuçiq sulmon politikanët evropianë me gjuhë të papranueshme