Një ngjarje të rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lipjan, ku një person ka humbur jetën në rrethana të dyshimta pas një incidenti në rrugë, transmeton KosovaPost.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka deklaruar për Telegrafin se për rastin në fjalë është aktivizuar edhe Prokurori i Krimeve të Rënda.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet hetimore si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë, poashtu edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës janë në hetime të vazhdueshme”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Me vendim të Prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Për më shumë informacione nuk mund të ofrojmë pasi që mund të dëmtojmë integritetin e procedurës hetimore”, ka deklaruar tutje Shala.
Edhe Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar se sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan .
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur.
“Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.
Tutje në njoftim thuhet se IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Të tjera
Manchesteri ngjyroset me të kaltër, City mposht bindshëm Unitedin
Barcelona me rezultat tenistik ndaj Valencias
Vuçiq sërish e angazhoi Radoiçiqin dhe anëtarët e organizatës së tij paramilitare në tubim