Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se zhvillimet e sotme tregojnë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Ajo ka theksuar se LVV, edhe pse fituese e zgjedhjeve, nuk i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
“Për shkak të paaftësisë së partisë së parë që ka dalë në zgjedhje për të bërë koalicione, ne po shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Bajrami.
Deputetja tha se ka qenë e ditur që nga fillimi që LVV nuk i ka votat për krijimin e qeverisë. “I patë zhvillimet dhe u vërtetua ajo që e kemi ditë nga fillimi, që LVV edhe pse fituese, nuk i pati numrat për krijimin e qeverisë, përkundër faktit që me dhjetëra herë kanë potencuar se të krijohet Kuvendi sepse pastaj i kemi numrat e qeverisë”, shtoi ajo.
Bajrami theksoi se kjo situatë është pasojë e mungesës së kapaciteteve politike për të ndërtuar shumicën qeverisëse dhe se tashmë fjalën e fundit do ta kenë qytetarët. “Partia fituese po e kthen besimin te qytetarët”, tha ajo.
Bajrami mes tjerash tha se LDK-ja do të punojë intensivisht që të dalë partia e parë në zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Ajo gjithashtu sqaroi se preferenca e partisë është të formojë një qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje, duke u fokusuar tek koalicione me ish-partitë opozitare.
“Ne nuk kemi ndryshuar mendim. Gjithmonë kemi pasur qëndrimin se vendit i duhet një qeveri e ish-partive opozitare”, tha Bajrami, duke shtuar se gjatë bisedimeve me partitë e minoriteteve nuk kanë marrë mbështetje. Kjo, sipas saj, ka bërë që LDK-ja dhe partnerët e mundshëm të mos kenë numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë.



Të tjera
“Kurti dështoi në formimin e Qeverisë: Këta janë deputetët që abstenuan”
“Deklaratë e fortë nga Memli Krasniqi: Kurti nuk do të jetë më në krye të Qeverisë”
“Bajrami paralajmëron: Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme”