Vendim i rëndë në Gjermani: Vëllai i boksierit shqiptar dënohet me burgim të përjetshëm – Çfarë ndodhi?

Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë një vendim të rëndë ndaj familjarëve të boksierit të vrarë Besar Nimani.

Vëllai i tij, Berat Nimani, është dënuar me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë, ndërsa motra e tij është dënuar me pesë vite burg.

Sipas gjykatës, Berat Nimani kishte qëlluar mbi anëtarët e familjes së personit që vrau vëllain e tij, duke vepruar nga “përbuzja e thellë” ndaj tyre – një qëndrim i reflektuar edhe në letrat që ai kishte dërguar nga burgu.

Atmosfera në sallën e gjyqit ishte e rëndë, me të pranishme nënën dhe motrat e të pandehurve, të cilat reaguan me zë të lartë ndaj vendimit. Nëna shpërtheu në lot dhe u largua nga salla.

Avokatët pretenduan se Berati veproi në “vetëmbrojtje”, pasi familja rivale e kishte kërcënuar vazhdimisht. Megjithatë, gjykata rrëzoi të gjitha mocionet dhe la në fuqi dënimin maksimal.