Presidenti i Sirisë, Ahmed al Sharaa, paralajmëroi të mërkurën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se veprimet e Izraelit në rajon rrezikojnë ndezjen e krizave të reja, në një fjalim historik që e shënon herën e parë që një udhëheqës sirian flet në këtë forum global që prej vitit 1967.
Në një fjalim të mbushur me premtime për reforma dhe pajtim, Sharaa tha se Damasku do të vazhdojë ta respektojë Marrëveshjen e Çangazhimit të vitit 1974 me Izraelin, por i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të “qëndrojë pranë Sirisë përballë rreziqeve” dhe ta respektojë sovranitetin e saj.
“Ata që janë përgjegjës për gjakderdhjen do të përballen me drejtësinë,” tha presidenti sirian, duke premtuar hapjen e një kapitulli të ri në historinë e Sirisë me “paqe, stabilitet dhe mirëqenie”.
Sharaa shprehu mirënjohje ndaj vendeve që e kanë mbështetur Sirinë gjatë tranzicionit, duke përmendur Türkiye, Katarin, Arabinë Saudite, vendet arabe dhe myslimane, si dhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Shfaqja e tij vjen disa muaj pas rrëzimit të paraardhësit të tij afatgjatë, duke shënuar atë që vëzhguesit e quajnë si fillimin e një riorientimi dramatik të qëndrimit rajonal dhe ndërkombëtar të Sirisë.
Qindra sirianë u mblodhën të mërkurën jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për të pritur presidentin Ahmed al Sharaa para fjalimit të tij historik në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, fjalimi i parë nga një udhëheqës sirian që prej vitit 1967.
Pamje të publikuara nga Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA) treguan turma të mëdha që valëvisnin flamuj pranë ndërtesës së OKB-së, duke e përshkruar mbledhjen si një shfaqje mbështetjeje për Sharaan.
Siria e kishte bojkotuar Asamblenë në nivel presidencial që nga lufta arabo-izraelite e vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit. Damasku ka akuzuar prej kohësh OKB-në dhe institucione të tjera ndërkombëtare për anshmëri në krah të Izraelit për shkak të mbështetjes nga ShBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë.
Udhëheqësi i fundit sirian që mori pjesë në samitin e OKB-së ishte ish-presidenti Nureddin al Atassi, i cili shërbeu nga viti 1966 deri në vitin 1970.
Të tjera
Bashkimi Evropian duhet t’ia heqë sanksionet Kosovës
Kurti vizitoi për ngushëllime familjen Petrovci
Kosova është e përkushtuar për reforma, siguri dhe integrim evropian