Kurti: Veprimi dhe bashkëpunimi qytetar fuqizojnë teknologjinë e hapur

Veprimi dhe bashkëpunimi qytetar fuqizojnë teknologjinë e hapur

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e veprimit, bashkëpunimit dhe inovacionit qytetar gjatë hapjes së konferencës “Software Freedom Kosova 2025”, ngjarjes më të madhe vjetore për softuerin dhe harduerin me burim të hapur në Evropën Juglindore.

 

Kurti ka teksuar se Kosova ka dëshmuar se bashkëpunimi dhe angazhimi qytetar sjellin përparim të qëndrueshëm, ndërsa theksoi rolin e FLOSSK në promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare të teknologjisë.

“Software Freedom Kosovo 2025 e vazhdon këtë mision. Ajo bashkon zhvillues, studiues, studentë, inovatorë dhe mendimtarë që besojnë se njohuria duhet të ndahet dhe teknologjia duhet t’u shërbejë njerëzve. Kjo konferencë sjell ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë, kontribues nga komunitete si Wikimedia, Arduino dhe të tjerë, si dhe pjesëmarrës nga vetë Kosova që po ndërtojnë projekte me burim të hapur të përdorura nga mijëra njerëz anembanë botës”, ka deklaruar Kurti.

Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e harduerit të hapur.

“Teknologjia e hapur nuk ka të bëjë vetëm me softuerin. Hardueri i hapur është po aq i rëndësishëm. Ai u mundëson njerëzve të kuptojnë, modifikojnë dhe ndërtojnë pajisjet që i përdorin çdo ditë. Ai fuqizon studentët, inxhinierët dhe krijuesit të mësojnë nga njëri-tjetri, të inovojnë në nivel lokal dhe të krijojnë teknologji që me të vërtetë u shërbejnë komuniteteve të tyre. Hardueri i hapur, ashtu si softueri i hapur, na jep pavarësi, transparencë dhe aftësinë për t’i zgjidhur problemet së bashku”, theksoi ai.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Isak Shabani, tha se Universiteti i Prishtinës është një nga institucionet më të mëdha publike në vend dhe pjesë e rëndësishme e kësaj ngjarjeje.

Ai shtoi se vizioni i fakultetit është të krijojë modele bashkëkohore dhe inovative. Për Shabanin, konferenca është një mundësi e rëndësishme për studentët dhe universitetin.

“Shteti ynë është një vend me prestigj, i cili zhvillon talentet, aftësitë dhe ekspertizën e tij në fushat e TIK-ut, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe zhvillim përmes përfaqësuesve dhe iniciativave të ndryshme”, theksoi Shabani.

Ndërkaq, drejtori i FLOSSK-ut, Besfort Guri, bëri të ditur për të pranishmit agjendën që do të karakterizojë këtë konferencë gjatë dy ditëve të saj.

Konferenca, që zhvillohet për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë, mbledh zhvillues, studentë, hulumtues, sipërmarrës dhe aktivistë për të ndarë përvoja dhe për të promovuar softuerin dhe harduerin e lirë. Gjatë viteve, SFK ka pritur emra të njohur ndërkombëtarë si Glynn Moody, Bruce Perens, Leon Shiman, Peter Salus, Rob Savoye dhe Mikel Maron.