Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, duke thënë se atje tashmë funksionon shteti dhe pushteti komunal, ndryshe nga sa ishte për dy dekada.
Sipas tij, kryetarët e komunave në veri nuk janë nxjerrë fizikisht nga Policia e Kosovës, por janë larguar me urdhër të Beogradit, në kohën kur bandat kriminale po përballeshin me forcat e rendit.
“Kur ata u larguan, bandat menduan se aty nuk ka më shtet. Por sot shteti dhe komuna funksionojnë si kudo,” tha Manxhuka.
Ai kujtoi se gjatë procesit zgjedhor, grupet kriminale kishin tentuar ta pengonin mbajtjen e zgjedhjeve, madje edhe duke hedhur bomba. Megjithatë, zgjedhjet u zhvilluan dhe kryetarët e zgjedhur janë sot në detyrë.
“Ata që dolën për dritare nga Komuna, sot po duan të kthehen përmes derës dhe shkallëve të kushtetutshmërisë sonë,” shtoi zëdhënësi i VV-së.
Manxhuka theksoi se pushteti komunal dhe shtrirja e kushtetutshmërisë janë procese të ndryshme, por progresi i arritur është i dukshëm:
“Vetëm një dashakeq ose naiv ekstrem nuk e sheh. Veriu është sot krejtësisht ndryshe dhe kurrë nuk kthehet siç ka qenë për 20 vjet.”
Shkrimi i plotë:
Në veri Policia e Kosovës nuk i ka nxjerrë fizikisht kryetarët nga zyra, por ata u larguan me urdhër të Beogradit kur atje po luftoheshin bandat kriminale e po shtrihej rendi.
Këta kryetarë kur u larguan bandat menduan se aty më nuk ka shtet. Por atje sot shteti e komuna funksionojnë si kudo.
Në anën tjetër, ata po ashtu nuk donin të lejonin që zgjedhje të mbante Republika e Kosovës atje. Madje hodhën dhe bomba. Por, zgjedhjet u mbajtën e sot Kryetarët janë duke qeverisur.
Sot, kushdo që kandidon po kandidon në afatin zgjedhor e me rregulla të Republikës së Kosovës. Dhe ata që dolën për dritare nga Komuna, sot po duan të kthehen përmes derës dhe shkallëve të kushtetushmërisë sonë.
Pushteti komunal dhe shtrirja e kushtetushmërisë janë gjëra krejtësisht të ndryshme. Por, gjithë këtë progres në veri vetëm një dashakeq ose naiv ekstrem nuk do dhe prandaj nuk di ta shoh.
Veriu është sot krejtësisht ndryshe dhe kurrë nuk kthehet siç ka qenë për 20 vjet.
Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën
Kosova po fuqizon industrinë e mbrojtjes, duhet anëtarësim në NATO
Kryetari i Zveçanit urdhëron heqjen e fotografisë së Ratko Mlladiqit nga muret e qytetit