Pas më shumë se tri javësh pauzë, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të tentojnë sërish konstituimin e institucionit më 20 gusht, nga ora 11:00.
Ky hap vjen pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, duke përcaktuar se kandidati mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Megjithatë, shanset për sukses duket se janë të pakta.
Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul sërish në emrin e Albulena Haxhiut, ndërsa opozita e deritashme nuk tregon gatishmëri për kompromis.
Njohës të çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se dështimi mund ta çojë vendin në një situatë të re institucionale.
Sërish Haxhiu
Në vazhdimin e seancës më 20 gusht, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të propozojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit të Kosovës, konfirmon deputeti i partisë, Arbër Rexhaj, për Radion Evropa e Lirë.
“Nëse brenda tri herësh nuk zgjidhet zonja Haxhiu, sigurisht që ne do ta diskutojmë veprimin e ardhshëm brenda grupit parlamentar”, thotë ai.
Rexhaj kujton se kryeministri në detyrë dhe udhëheqësi i LVV-së, Albin Kurti, ka premtuar se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por shpreh shqetësim për kufizimin që ajo ka vendosur: një kandidat për kryetar Kuvendi mund të propozohet vetëm tri herë.
Sipas Rexhajt, ky vendim e zhvendos fuqinë e propozimit: nëse LVV-ja nuk arrin ta zgjedhë kryetarin brenda afatit 30-ditor, e drejta për propozim i kalon partisë tjetër.
Ai paralajmëron se kjo mund të “deformojë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës, të cilët në zgjedhjet e fundit votuan LVV-në me 42.2% të votave”.
Cilat janë qëndrimet e partive opozitare në legjislaturën e kaluar?
Të pandryshuara.
Në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se nuk do të votojnë për Haxhiun.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra shpjegon se PDK-ja qëndron pranë qëndrimit të saj për të mos mbështetur asnjë nga emrat që kanë qenë pjesë e Qeverisë së kaluar, të udhëhequr nga Albin Kurti.
“Janë mbi 40 deputetë [të LVV-së] që kanë mundësi t’i hapin rrugë zhbllokimit. Gjithashtu, AAK-ja i ka propozuar dy emra [Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi nga LVV-ja] dhe ato do t’i merrnin votat e deputetëve”, thotë Deliu-Kodra, duke shtuar se kompromisi pritet tani nga Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet gjithashtu kundër çdo kandidati të LVV-së për kryetar të Kuvendit.
Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, thotë se deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në votim, siç i obligon vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por se vota e tyre do të jetë kundër kandidatit të LVV-së.
“Bashkëpunimi, në rastin tonë, duhet të nënkuptojë marrëveshje politike. Nëse nuk arrihet një koncensus i gjerë për një proces, për emrin e përveçëm, atëherë bashkëpunimi shtrihet në marrëveshje politike. Kjo i takon partisë së parë [LVV-së]”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Të tjera
Prania e NjSO-së në punimet e urës së re mbi lumin Ibër, deklarohen nga Policia
Ata kanë një të përbashkët, dashurinë për Kosovën
Kryediplomati belg paralajmëron “krizë të madhe” nëse qeveria nuk ashpërson qëndrimin ndaj Izraelit