Vizitë në terren/ Kurti dhe Çeku inspektojnë projektet kapitale në rajonin e Prizrenit

Vizitë në terren/ Kurti dhe Çeku inspektojnë projektet kapitale në rajonin e Prizrenit

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se projektet zhvillimore në infrastrukturën kulturore, rinore dhe sportive po vazhdojnë me intensitet të shtuar në mbarë vendin, përcjell KosovaPost.

Gjatë një vizite në komunat e rajonit të Prizrenit, ai ka inspektuar nga afër disa prej investimeve kapitale që po realizohen nga qeveria në detyrë.

Postimi i plotë:

Vazhdojmë pa u ndalur me investime në infrastrukturën kulturore, rinore dhe sportive në mbarë vendin. Dje vizituam komunat e rajonit të Prizrenit për të parë nga afër punimet në disa nga projektet kapitale të qeverisë sonë.

Në Dragash ka nisur ndërtimi i Qendrës Multifunksionale në vlerë prej 1 milion euro, një hapësirë moderne për të rinjtë dhe të rejat e kësaj zone. Në Prizren punimet vazhdojnë në ndërtimin e fushave të mbyllura të tenisit në vlerë 745 mijë euro, ndërsa po bëhen përgatitjet e fundit për nisjen e punimeve për rinovimin e tërësishëm të stadiumit të qytetit “Përparim Thaçi” për të cilin kemi ndarë 12 milionë euro. Në fazë të avancuar janë edhe investimet tona për ndërtimin e Qendrës Kulturore Turke me 600 mijë euro, Qendrës Kulturore Hebraike me 605 mijë euro dhe rijetësimin e rrugës historike “Marin Barleti” në zonën e vjetër të qytetit, ku po investojmë 1 milion euro.

Në Rahovec kemi ndarë 2.5 milionë euro për ndërtimin e një kompleksi të madh të kulturës që do të akomodojë disa institucione lokale të artit. Ndërsa në Mamushë po ndërtohet Qendra Kulturore Turke, një investim që kap vlerën afro 2 milion euro. Në Suharekë po vazhdojnë punimet për ndërtimin e stadiumit të qytetit, një investim prej 11 milion eurosh, ndërsa afër tij tashmë kanë përfunduar punimet në fushën ndihmëse të futbollit./Arbresh.info