Vrasja e Enver Malokut, krim politik që mbeti në errësirë – a do ta zbardhë Specialja?

Ishte 11 janari i vitit 1999, kur pak metra prej banesës së tij, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Ibrahim Rugova. Ai u qëllua për vdekje dhe ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

Maloku ishte një figurë kyçe në Lidhje Demokratike të Kosovës, dhe vrasja e tij përfaqësonte një goditje të rëndë ndaj partisë dhe vizionit të Rugovës për një Kosovë të lirë dhe demokratike.

Hetimet e kohës nuk arritën të zbardhin motivet e vërteta të ngjarjes, ndërsa dyshohet se atentati ishte pjesë e një serie vrasjesh politike kundër figurave kyçe të LDK-së.

Por edhe pas 27 vjetësh, a mbetet Gjykata Speciale shpresa e vetme për zbardhjen e vrasjes së Malokut?

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka thënë se zbardhja e vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së është e pamundur.

Sipas tij, LDK-ja pas vdekjes së Rugovës ka bashkëpunuar me PDK-në dhe SHIK-un, të cilat akuzohen për këto vrasje.

Image

Ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj

 “Zbardhja e vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së nuk ka asnjë gjasë serioze që të ndodhë. Vetë LDK-ja, që nga vdekja e Presidentit Rugova, ka bashkëpunuar ngushtë me PDK-në dhe SHIK-un, të cilat struktura konsiderohen përgjegjëse për vrasjen e veprimtarëve të LDK-së. Vetë kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku e quan mik të shkëlqyeshëm Fatmir Limajn, të cilin Fetah Rudi e akuzon publikisht për tentimvrasjen ndaj tij dhe për lënien e përjetshme të paralizuar në karrocë. Rasti i Enver Malokut ka fatin e njëjtë”, ka thënë ai.

Më tej, Salihaj thotë se as Gjykata Speciale nuk jep shumë shpresa për zbardhjen e vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së, edhe pse disa krerë të PDK-së po gjykohen.

“Në Gjykatën Speciale, ndonëse krerët e PDK-së po gjykohen edhe për vrasjet e veprimtarëve shqiptarë,  nuk po jep shpresa të mëdha se kjo do të ndodhë. Ne ende nuk i kemi humbur shpresat se në Hagë do të zbardhen së paku një pjesë e këtyre vrasjeve. Fati i keq i veprimtarëve të LDK-së ishte se kryesia e partisë sonë, që nga vdekja e Presidentit Rugova, deri në ditët e sotme, është dominuar nga njerëzit kontrolluar nga SHIK-u dhe PDK. LDK në disa mandate ka qeverisur së bashku me këto struktura, duke u bërë edhe vetë hisetare në moszbulimin dhe mosdënimin e këtyre krimeve”, ka deklaruar Salihaj.

Zogaj: Shpresa e fundit është Gjykata Speciale

Ndërkaq, analisti politik, Skender Zogaj ka thënë se plaga më e rëndë e pasluftës në Kosovë janë vrasjet politike të figurave që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë.

Image

Analisti politik, Skender Zogaj

Ai është shprehur se vrasjet e Ahmet Krasniqit dhe Enver Malokut, si edhe rreth 120 të tjerave, janë turp kombëtar, sepse dyshohet se u kryen nga shqiptarë në shërbim të Serbisë.

Vrasja e kolonelit Ahmet Krasniqi dhe e Enver Maloku janë turpi i shqiptarizmit, sepse të gjitha rrethanat tregojnë se janë vra jo nga Serbia, por nga shqiptarët argatë të Serbisë, Prandaj këto edhe rreth 120 vrasje të tjera të bijve dhe bijave të zgjedhura atdhetare, e kanë vra edhe lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e cila edhe pas një çerek shekulli nuk po arrin të bëhet shtet i vetëqeverisur! Nuk po bëhet dhe do ta ketë shumë të vështirë që të bëhet, përderisa të mos zbardhen vrasjet e tyre dhe të shpërlahet ndërgjegjja e të gjallëve!”, është shprehur ai.

Gjithashtu, Zogaj ka theksuar se pafajësia e Enver Malokut dhe shokëve të tij mbetet e mallkuar, sepse institucionet e drejtësisë nuk guxojnë të hetojnë vrasësit politikë, duke treguar se janë të kapura.

“Por me gjasë kolektivisht na ka zënë mallkimi i pafajësisë së Enver Malokut dhe shokëve të tij, që hanë dhe, ndërsa institucionet kosovare të drejtësisë paturpësisht guxojnë të krekosen se i kanë zbuluar bandat e drogës, e nuk kanë guxim të bëjnë as më të voglin hap për zbulimin e kriminelëve vrastarë që enden mes nesh! Kjo tregon se institucionet tona shtetërore janë të kapura”, ka theksuar ai.

“Aktualisht është shpresë e vetme Gjykata Speciale e cila, nëse nuk arrin që të nxjerrë në dritë vrasjet politike të shqiptarëve, nuk do të mund të quhet drejtësi, por dështim i radhës! Kjo shpresoj të mos ndodhë,  por Gjykata Speciale të ndriçoj vetëm 2-3 raste dhe të tjerat bëhen të vet zbardhura, sepse janë të një produksioni!”, ka përfunduar Zogaj.