Udhëheqësi i një grupi kundër Hamasit që ishte armatosur dhe mbështetur nga Izraeli, Yasser Abu Shabab, është vrarë në Gaza, i thanë televizionit CNN tri burime izraelite, në një goditje të mundshme ndaj planeve të Izraelit për Gazën e pasluftës.
Shababi, i cili udhëhiqte një grup militant që kontrollonte një pjesë territori në qytetin Rafah, në jug të Gazës, u vra në ato që njëri nga burimet i përshkroi si përleshje të brendshme, raporton televizioni amerikan.
Në një porosi përmes rrjetit “Facebook” dërguar televizionit CNN nga llogaria e zëvendësit të Shababit, Ghassan al-Dahini, grupi militant mohoi se udhëheqësi i tij është vrarë.
Dy prej burimeve izraelite thanë se Izraeli u përpoq që ta evakuonte Shababin dhe ta dërgonte në një spital në jug të vendit para se ai të shpallej i vdekur, transmeton gazeta “Nacionale”.
Shababi ishte udhëheqësi i grupit më të dalluar në një varg grupesh të armatosura të mbështetura nga Izraeli në Gaza dhe vdekja e tij mund të jetë hap prapa për planet ende të paqarta të Izraelit për të ardhmen e enklavës.
Shababi, i cili ishte në të tridhjetat e hershme, dukej se po e shtrinte kontrollin e vet ngadalë në pjesën jugore të Gazës, përderisa po përpiqej që të krijonte një zonë të lirë nga Hamasi. Izraeli synonte që ta përdorte grupin militant të Shababit për ta dobësuar Hamasin.
Izraeli gjithashtu planifikonte që ta shfrytëzonte organizatën e Shababit, të cilën ai e quante “Forcat Popullore”, për të siguruar projekte rindërtimi brenda Gazës së pushtuar nga Izraeli sipas fazës së ardhshme të marrëveshjes së armëpushimit.
Gjatë muajve të fundit të luftës, Shababi kishte dhënë ndihmë në kontrollimin e rrjedhjes së ndihmave nga pikëkalimi kufitar Kerem Shalom drejt jugut të Gazës.
Hamasi, i cili në të kaluarën është zotuar se do ta vinte në shënjestër Shababin, nuk e komentoi vdekjen e tij. Megjithatë, një grup i lidhur me Hamasin komentoi në rrjetin “Telegram”: “Siç të kemi thënë, Izraeli nuk do të t’mbrojë.”



Të tjera
Shpesh e injorojmë, kjo është bima për mbrojtjen e mëlçisë
Serbia arreston në Merdar një shtetas shqiptar, pretendon se ia gjetën flamurin me simbole të UÇK-së
Ky është numri i aplikuesve deri më sot nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit