Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, të cilët u vranë 44 vjet më parë në Stuttgart të Gjermanisë nga shërbimet sekrete jugosllave, vetëm disa muaj pas demonstratave të vitit 1981.
Në një postim, Kurti ka thënë se Jugosllavia dhe Serbia i goditën këta tre veprimtarë pikërisht në kohën kur organizimi për Republikën e Kosovës, për bashkim, barazi dhe çlirim po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Ai bëri të ditur se sot janë bërë homazhe në Dubovik të Deçanit, ku delegacioni është pritur nga Donika Gërvalla, e bija e Jusuf Gërvallës, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës. Po ashtu, Kurti njoftoi se kanë vizituar edhe familjen e Kadri Zekës, ku janë pritur nga Izmi Zeka, Zenun Pajaziti dhe familja e gjerë.
“Përveçse patriotë, ata ishin aktivistë, krijues, gazetarë dhe intelektualë. Me vrasjen e tyre nuk kemi humbur vetëm tre veprimtarë, por edhe poetë e shkrimtarë që kontribuonin përmes ideve dhe pendës”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri theksoi se vrasja e tyre nuk duhet të mbetet pa u ndriçuar, duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës për urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, në mënyrë që të mundësohet drejtësia dhe ndëshkimi.
“Lavdi Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!”, përfundoi Kurti.



Të tjera
Dallaveret me numërim, kaq vjet burg mund të dënohet një anëtar i Komisionit Zgjedhor!
Vlerat e rralla të manaferrës dhe boronicës
Trump paralajmëroi tarifa për Evropën, reagon Presidenti Macron