Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) të mbajtur në Kopenhagë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dha deklarata shqetësuese, duke thënë se “të gjithë po përgatiten për luftë”. Ai shtoi se Kosova, sipas tij, po “përpiqet ta shfrytëzojë këtë periudhë para luftës” për të bindur bashkësinë ndërkombëtare që të marrë anën e saj.
“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, deklaroi Vuçiq në Kopenhagë.
Ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se “të gjithë po përgatiten për luftë” është një mesazh i qëllimshëm politik dhe propagandistik.
Sipas tij, Vuçiq po ringjall nacionalizmin e viteve ’90 përmes frikësimit dhe tensionimit të rajonit, ndërsa në realitet vetëm Serbia po armatoset dhe po forcon lidhjet me Rusinë e Kinën.
“Deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se “të gjithë po përgatiten për luftë” nuk është thjesht një koment i rastësishëm, por një mesazh i paramenduar, me qëllime politike e propagandistike. Ajo pasqyron mënyrën se si Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiqit, po vazhdon të mbajë gjallë frymën e nacionalizmit të viteve ‘90, përmes frikësimit, tensionimit të rajonit dhe krijimit të perceptimit se Serbia është e rrethuar e “e kërcënuar”.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Kryeministrit Albin Kurti, po demonstron përmbajtje, stabilitet dhe qëndrueshmëri institucionale. Përballë provokimeve të vazhdueshme, Kosova po ndërton një shtet ligjor, demokratik dhe sovran, i orientuar kah Bashkimi Evropian dhe vlerat euroatlantike. Ndërsa Vuçiq flet për luftë, Kosova flet për paqe, zhvillim dhe siguri kjo është diferenca thelbësore që e dallon politikën e Prishtinës nga ajo e Beogradit”, shprehet ai.
Sipas Rexhepit, mesazhi i Vuçiqit nuk është vetëm kërcënim ndaj Kosovës, por tentativë për të penguar avancimin e saj ndërkombëtar, veçanërisht anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe strukturat euroatlantike.
“Në thelb, mesazhi i Vuçiqit nuk është vetëm kërcënim ndaj Kosovës, por edhe një përpjekje për të penguar avancimin e saj ndërkombëtar, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe strukturat euroatlantike. Megjithatë, këto përpjekje janë të destinuara të dështojnë, sepse e ardhmja e Ballkanit është në paqe, integrim dhe bashkëpunim jo në retorikën e frikës dhe luftës.
Kosova ka të drejtën dhe fuqinë morale të qëndrojë e palëkundur, sepse është në anën e drejtë të historisë, të paqes dhe të progresit” – përfundon ai.
Të tjera
Tani është koha e tij, hani rrush çdo ditë – Ja benefitet për trupin
Pas 9 nëntorit trajtojmë çështjet tjera, tani fokusi te fitorja
Vendimet e mëdha s’janë asnjëherë të lehta, interesi i qytetarëve mbi gjithçka