Vuçiq lavdërohet se u dekorua nga Putin, ndërsa Rusia vazhdon luftën në Ukrainë

Gjatë një vizite zyrtare në Kinë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është lavdëruar me faktin se ka marrë një dekoratë të lartë nga presidenti rus Vladimir Putin – njeriu që po udhëheq një luftë të përgjakshme në Ukrainë, e dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Vuçiq theksoi se është i vetmi në Serbi që ka marrë një nderim të tillë nga Kremlini në më shumë se një shekull.

“Mos harroni që më thonë se Putin nuk më çmon. Po kujt tjetër ia ka dhënë ai një dekoratë kaq të lartë në vendin tonë? A ia ka dhënë Tadiqit? A Gjilasit? Apo ndonjërit nga bllokuesit? Vetëm mua. Pas 104 apo 105 vitesh, që nga koha e Nikolla Pashiqit,” deklaroi Vuçiq, duke shtuar se “të tjerët e dinë më mirë se unë çfarë mendon Putin për mua, madje më mirë se vetë Putin”.

Në fjalën e tij, Vuçiq kritikoi ashpër kundërshtarët e brendshëm politikë, duke i akuzuar se nuk e duan Serbinë. Ai u shpreh se për disa njerëz “gjithçka tjetër është më e ëmbël dhe më e bukur” sesa vendi i tyre.

“Unë e di kë përfaqësoj. Shenjtërinë më të madhe në botë. Kjo është Serbia ime,” u shpreh presidenti serb.

Vuçiq përmendi edhe marrëdhëniet me presidentin kinez Xi Jinping, të cilin e quajti “mik të madh të Serbisë”, duke shtuar se Kina është vendi ku ai ndjehet më i respektuar në arenën ndërkombëtare.

“Xi Jinping mund të vijë në Serbi, një vend evropian ku ndjehet më mirë se kudo tjetër. Dhe unë kam pasur nderin ta pres. Kjo është një nder përjetësisht. Unë e di kë përfaqësoj,” përfundoi Vuçiq nga Kina. /Vijesti